Ministri i Punëve të Brendshme, z. Ekrem Mustafa, priti në takim njoftues shefin e misionit të Zyrës të Mbretërisë së Belgjikës në Kosovë, z. Jean-Louis Servais si dhe atasheun e policisë belge, z. Charles De Winter.
Me këtë rast, ministri Mustafa kërkoi mbështetjen e shtetit belg në avancimin e institucioneve të sigurisë, me qëllim të rritjes së efikasitetit në luftën kundër krimit.
Në veçanti, gjatë këtij takimi u bisedua lidhur me thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.
Gjithashtu, në këtë takim u bisedua edhe për avancimin e Kosovës në rrugën e saj drejt liberalizimit të vizave, si dhe anëtarësimin në INTERPOL dhe arritjen e marrëveshjes për bashkëpunim strategjik me EUROPOL-in.
Në anën tjetër, shefi i Zyrës diplomatike të Mbretërisë së Belgjikës, z. Jean Louis Servais, u shpreh i gatshëm në vazhdimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve, ku theksoi se Mbretëria e Belgjikës do të vazhdojë të përkrahë Republikën e Kosovës në avancimin e mëtejmë të proceseve demokratike.