Rreth 200 mjekë, infermierë dhe staf i administratës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës këtë vit kanë keqpërdorur kartelat hyrje-dalje në punë. Inspektimet që janë bërë këtë vit në QKUK kanë rezultuar në suspendimin e disa mjekëve dhe të infermierëve, të cilët nuk janë gjetur në vendin e tyre të punës.
Inspektimet e bëra këtë vit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kanë rezultuar me suspendimin e gjashtë mjekëve specialistë, si dhe me ndërprerjen e marrëdhënieve të punës për dy mjekë të tjerë specialistë, të cilët kanë shkelur detyrat e tyre të punës.
Kështu së paku kanë bërë të ditur për “Zërin” zyrtarë për informim në zyrën e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinikë dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK).
Sipas tyre, të gjitha masat disiplinore për suspendim janë marrë nga Komisioni Disiplinor në kuadër të QKUK-së, ndërsa siç kanë thënë ata, arsyet janë kryesisht mosmbajtja e kujdestarisë, si dhe shkelje e detyrave të punës.
“Të gjitha rastet të cilat largohen përkohësisht nga puna procedohen në Komisionin Disiplinor. Pesë nga këto raste janë larguar nga drejtori i përgjithshëm, ndërsa njërës nga pesë largimet nga drejtori i përgjithshëm Komisioni Disiplinor ia ka ndërprerë marrëdhënien e punës. Edhe pse shumica dërrmuese e personelit mjekësor dhe administrativ edhe me herët e kanë respektuar orarin kjo ka ndikuar pozitivisht te një pjesë e vogël e personelit, të cilët më herët nuk e kanë respektuar edhe aq orarin e punës”, kanë thënë ata, shkruan Zëri.