27,11,2024

Beteja diplomatike mes Kosovës dhe Serbisë bartet në Nju Jork

Must Read

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e cila nis punimet më 18 shtator në Nju Jork, pritet të jetë një rast i mirë për diplomacinë e Kosovës që të lobojë për çështjet që janë me interes për vendin, thonë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Përderisa, debatet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara fillojnë më 25 shtator dhe zgjasin deri më 1 tetor, tashmë në Nju Jork ka arritur një delegacion i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i latë i ministrit të Punëve të Jashtme të Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ekipi, i cili merret me përgatitjen e vizitës së delegacionit të Kosovës në Nju Jork, tash e disa ditë po qëndron në Nju Jork, ndërkohë që një pjesë e delegacionit tashmë ka arritur atje.

“Ditën e djeshme (të hënën), në Nju Jork ka arritur edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Pacolli, i cili gjatë kësaj periudhe 10-ditore do ta ketë një agjendë jashtëzakonisht të ngjeshur me më shumë takime bilaterale me përfaqësues ose udhëheqës të shteteve nga mbarë bota. Natyrisht që në delegacion të Kosovës do të jenë e dhe presidenti (Hashim Thaçi) dhe kryeministri (Ramush Haradinaj). Pra, agjenda që nga dita e djeshme ka filluar për ministrin e Punëve të Jashtme, si udhëheqës i diplomacisë së Kosovës. Presim rezultate në këtë drejtim, brenda 10 ditëve të ardhshme”, tha Zyberaj.

Në anën tjetër, njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, shprehet mjaft skeptik se diplomacia e Kosovës do të mund të jetë efektive në realizimin e objektivave të saj gjatë qëndrimit në Nju Jork. Sipas tij, përvojat e deritashme kanë treguar se gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, diplomacia e Kosovës nuk ka arritur t’i shfrytëzojë në dobi të saj takimet bilaterale me diplomatët botëror.

“Diplomacia nuk i ka shfrytëzuar mundësitë e tilla maksimalisht. Ka pasur takime formale dhe improvizime, si dhe tentime që kjo qasje të prezantohet si një arritje e madhe, mirëpo, realiteti i ka demantuar shumë herë. Pra, edhe kësaj radhe nuk mund të pritet shumë efekt nga kjo vizitë e liderëve kryesorë kosovarë, sepse nuk ka indikacione se ka pasur përgatitje të mëdha dhe strukturale për ta shfrytëzuar këtë moment”, theksoi Muhaxhiri.

Megjithatë, Zyberaj thotë se diplomacia e Kosovës, gjatë qëndrimit në Nju Jork, do të orientohet në realizimin e të paktën dy objektivave.

“Fokusi ynë në punimet e këtij viti të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, do të jetë lobimi për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, që praktikisht është një qëllim jashtëzakonisht i rëndësishëm për sigurinë, jo vetëm të shtetit tonë, por edhe për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare. Gjithashtu do të kemi takime me qëllim të shtimit të numrit të njohjeve për Republikën e Kosovës.”, tha Zyberaj.

Por, a mund të shihet qëndrimi i delegacionit të Kosovës në Nju Jork, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, si mundësi e jashtëzakonshme për realizimin e objektivave diplomatike të Kosovës?

Analisti Muhaxhiri e pohon një mundësi të tillë, por sipas tij, realizimi i kësaj mundësie është vështirë për t’u besuar.

“Mundësia është e jashtëzakonshme, mirëpo, qasja kosovare është e zakonshme. Duke e njohur mënyrën se si funksionon diplomacia e Kosovës, ku ka shumë persona jomeritorë – që kanë pozita të larta dhe që vendosin për mënyrën e funksionimit të diplomacisë së Kosovës dhe po ashtu partizimi (personat e partive politike) i skajshëm, i cili i lë jashtë kuadrot e mira që do të mund të kontribuonin, por që nuk janë pjesë të partive apo të politikës, e të cilët do duhej të shfrytëzoheshin maksimalisht si aset për krijimin e një strategjie diplomatike kosovare – nuk është e pritshme që të arrihet ndonjë sukses i madh”, u shpreh Muhaxhiri.

Sidoqoftë, Muhaxhiri shpreh mendimin se në rast se Kosova arrin anëtarësimin në INTERPOL, kjo do të jetë më shumë si rezultat i ndonjë kompromisi apo marrëveshjeje të bashkësisë ndërkombëtare, se sa arritje e diplomacisë së Kosovës.

Sipas tij, Kosova tash e disa kohë është në defanzivë diplomatike ndaj Serbisë, e cila po shënon përparime karshi asaj të Kosovës dhe kjo, siç thotë ai, është e dukshme edhe në prezantimin e mediave ndërkombëtare.

Në anën tjetër, Zyberaj ka theksuar se ofensiva diplomatike e Serbisë karshi Kosovës ka nisur që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008 dhe asnjëherë nuk është ndalur. Por, sipas tij, diplomacia e Kosovës ka vënë përpara realizimin e objektivave të veta, të cilat janë në interesin e vendit dhe nuk janë të orientuara kundër askujt.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Për tre vjet KRM “Pastërtia” në Ferizaj kursen mbi 600 mijë euro nga rritja e të hyrave

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj gjatë viteve të fundit ka përmirësuar gjendjen financiare derisa ka kursyer nga...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img