Kampionët e Kosovës kanë mposhtur 2:1 Prishtinën në finalen e Superkupës së Kosovës të zhvilluar në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, që hapi dyert për të parën herë pas rinovimit.
Kryeqytetasit e dominuan në tërësi pjesën e parë, duke provuar disa herë e duke qëlluar tri herë shtyllën.
Pas shumë tentative, skuadra e Mirel Josës zhbllokoi ndeshjen në minutën e 34’, me një gol të bukur të shënuar nga Mankenda.
pic.twitter.com/hmKvb9WXdP
— Arsim Popaj (@ArsimPopaj) August 13, 2018
Me rezultat 0-1 në të mirë të Prishtinës, përfundoi pjesa e parë.
Derisa pjesa e parë solli spektakël në tribuna, nuk mund të thuhet edhe për të dytën, ku tifozët e Dritës, ‘Intelektualët’ ndërprenë ndeshjen për disa momente pas hedhjes në fushë të fishekzjarrëve, në një test shumë të rëndësishëm për Kosovën para syve të inspektorëve të UEFA-së.
Në minutën e 64’, Drita arriti të barazonte në 1:1, kur Fidan Gërbeshi realizoi nga penalltia.
Ky gol i bëri mirë Dritës që nisi të kërkonte edhe golin e përmbysjes së rezultatit.
Luhej minuta e 82’ kur një kundërsulm i nisur shpejtë nga lojtarët e Dritës, nxori para portierit sulmuesit Betim Haxhimusa, që nuk dështoi para Visar Bekajt për 2:1.
Ky është trofeu i parë i Superkupës në histori të klubit të Dritës, ndërsa Prishtina mbetet me nëntë të tillë./Lajmi.net/