Gjatë takimit të dy ministrat kanë diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit midis dy ministrive në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore dhe atë të së drejtës së autorit, nëpërmjet institucioneve të kulturës, duke krijuar edhe hapësira dhe mundësi për intensifikim e shkëmbimit të aktiviteteve kulturore edhe ndërmjet skenës së pavarur kulturore të të dyja vendeve.
Ministrat u dakorduan që të fillojnë procedurat për përgatitjen e një kalendari të përbashkët kulturor mes Kosovës e Maqedonisë, i cili orientimisht pritet të nënshkruhet në muajin shtator.
Ministri Gashi u shpreh se bashkë me homologun Ademi janë pajtuar për një kalendar të përbashkët kulturor. “E kemi një kalendar të tillë më Republikën e Shqipërisë dhe dëshirojmë që ta kemi edhe me Republikën e Maqedonisë. Pse jo pastaj ta kemi një kalendarë të përbashkët mes Kosovës- Shqipërisë dhe Maqedonisë të jetë një kalendar tre palesh ku do të përfshihen institucionet e kulturës që të kenë aktivitete të përbashkëta”, tha ministri Gashi.
“Jemi dakorduar që t’i autorizojmë institucionet e kulturës që të kemi ngjarje, të kemi data të përbashkëta, aktivitete në teatër, në filarmoni, në balet por gjithashtu edhe të kemi shkëmbime të ansambleve tona me ansamblet e Maqedonisë edhe ato që veprojnë në komunat me shumicë shqiptare po edhe ansamblet tjera në Maqedoni sepse Kosova edhe shqiptarët edhe atje kanë një gjuhë një kulturë dhe një traditë të përbashkët”, u shpreh ministri Gashi.
Ndërkaq ministri i Republikës së Maqedonisë, Asaf Ademi u shpreh se ndjehet jashtëzakonisht i nderuar që vizitën e parë zyrtare që nga marrja e mandatit për e realizon në Kosovë. “Kosovën e Maqedoninë, në veçanti me shqiptarët e Maqedonisë na lidhin shumë aspekte kombëtare, familjare. Emocionet janë të përbashkëta kur flasim për temat që i përkasin kulturës. Është nderë për mua që gjatë takimit me Ministrin kishim mendime të përbashkëta lidhur me atë që marrëdhëniet mes dy vendeve janë mjaft të mira por edhe që biseduam gjithashtu edhe për mundësi të reja për të zhvilluar në veçanti në sferën e kulturës”, u shpreh ndër të tjera ministri Ademi.
Ndër të tjera, në takimin e zhvilluar të dy ministrat e informuan njëri-tjetrin për punën që ministritë respektive po bëjnë në përkrahjen dhe avancimin e kulturës përmes politikave dhe mbështetjes së drejtpërdrejtë të organizatave kulturore. Gashi e Ademi diskutuan edhe për avancimin e legjislacionit. Ademi e njoftoi ministrin Gashi për përgatitet që po bëjnë për ligjet e reja për kulturë dhe trashëgimi kulturore. Ministri Ademi vuri theksin se po angazhohen që nëpër institucione e mekanizma tjera të kulturës të bëhet një përfaqësim sa më dinjitoz dhe i drejtë ku po përfshihen edhe njerëz nga komunitetet pakicë e jo vetëm nga komuniteti shumicë maqedona./Lajmi.net/