Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë braktisur 13 fëmijë të porsalindur. Ndërsa gjatë vitit 2017 pa prind kanë mbetur 34 fëmijë. Shkaktar kryesor i kësaj dukurie thuhet se është gjendja e rënduar socio-ekonomike.
Mimoza Kqiku, këshilltare në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha se bazuar në të dhënat statistikore nga vitet paraprake, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kemi një rënie të numrit të fëmijëve të braktisur.
Në si ministri, Ministra e Punës dhe Mirëqenës Sociale, u referohemi raporteve vjetore të cilat i pranojmë nga komunat e Kosovës. Në bazë të raporteve nga qendrat për pune sociale të komunave për periudhën janar- qershor 2018, janë evidentuar trembëdhjetë fëmijë të braktisur.
Punëtorja sociale në Repartin e Gjinekologjisë në QKUK, Mevlude Veseli-Bajra, tha për Radio Kosovën se në gjashtëmujorin e parë i kanë pasur vetëm tri raste të braktisjes së fëmijëve në këtë klinikë. Sipas saj, gjendja e rënduar socio-ekonomike është ndër shkaqet kryesore që ndikon në braktisjen e fëmijëve.
Arsyeja është se nuk kanë përkrahje dhe nuk kanë se ku t’i çojnë fëmijët. Ish i dashuri apo i fejuari nuk merr përgjegjësi, të ardhura nuk kanë, vendbanim nuk kanë, ato detyrohen t’i braktisin fëmijët. Nëse do të kishin pasur kushte një në njëmijë raste, këto nëna nuk do t’i kishin braktisur fëmijët e tyre.
Ndërsa, Mjellma Luma, udhëheqëse e Qëndresë Këshilluese nga ‘’SOS Fshati’’ në Prishtinë, tha se këtë vit kanë rënie të fëmijëve të braktisur në krahasim me vitin e kaluar.
Gjatë viti 2018, në ‘’SOS Fshatrat e Fëmijëve’’ është vendosur vetëm një foshnje e braktisur, fatmirësisht në pjesën e parë të këtij viti në bazë të të dhënave që kemi, numri i fëmijëve të braktisur është në rënie nëse krahasojmë më vitin e kaluar.
Nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se duke iu referuar listave të rregullta mujore për familjet potenciale adoptuese, ka interesim të madh për adoptim të fëmijëve të braktisur. Ndërsa sipas tyre, preferencë gjinore, ka për të dy gjinitë.