Të dielën do të zhvillohet finalja e Kupës së Botës mes Francës dhe Kroacisë. Ky është një fakt që vë edhe më shumë në dukje dominimin e futbollit europian.
Së pari, kjo finale do të thotë se Kupa e Botës do të mbetet në Europë. Kroacia apo Franca do ta çojë bilancin e triumfeve të ekipeve nga kontinenti i vjetër kundrejt skuadrave amerikano-latine në 12 me 9.
Një tjetër e dhënë që tregon superioritetin e futbollit nga Europa është numri i finaleve që janë luajtur mes ekipeve të këtij kontinenti në historinë e Botërorëve. Ajo që do të luhet në Moskë do të jetë finalja e 9 në total mes skuadrave europiane, dhe e treta në 4 edicionet e fundit.
Duke marrë parasysh finalen e së dielës, nga 42 skuadrat finaliste të Botërorit, 28 kanë qenë europiane dhe 14 amerikano-latine. Gjermania është skuadra që ka luajtur më shumë finale, 8 të tilla, dhe është po ajo që ka humbur më shumë finale, 4, transmeton “Top Channel”.
Brazili ka fituar më shumë tituj, 5, e ndjekur nga Gjermania dhe Italia. Për sa i përket së dielës, Franca ka mundësi që të fitojë titullin e dytë për t’iu bashkuar Uruguajit dhe Argjentinës, ndërsa Kroacia do të kërkojë të bëhet skuadra e 9 që fiton një trofe botëror.