Xhaka dhe Shaqiri, të cilët shënuan në ndeshjen e Zvicrës kundër Serbisë duke ia siguruar fitoren dhe që festuan duke bërë simbolin e shqiponjës me duar, rrezikojnë të dënohen nga FIFA.
Bile, FIFA tashmë veçse ka nisur procedurë ndaj Xhakës dhe Shaqirit, pas ankesave të Serbisë kinse për provokim.
Rrjetet sociale janë pushtuar me reagime të ndryshme nga përdorues të ndryshëm anembanë botës, pas lajmit se FIFA mund t’i dënojë ata me dy ndeshje moslojë, shkruan Gazeta Express.
Twitter është mbushur me reagime të shumta të njerëzve të cilët i bëjnë thirrje FIFA-së që mos t’i dënojë ata, pasi simboli i shqiponjës me duar s’është asgjë më pak e asgjë më shumë se vetëm festim, si çdo festim tjetër me simbole tjera – qoftë fetare apo nacionale.
“Mbylle FIFA. Serbia kreu gjenocid kundër shqiptarëve dhe myslimanëve boshnjakë. Ata s’janë përmirësuar. Tifozët e tyre ende i sulmojnë rregullisht lojtarët e këtyre vendeve dhe Kosovës. Shaqiri dhe Xhaka kishin çdo të drejtë ta bënin shqiponjën”, shkroi dikush në Twitter, që mori më shumë se 4,000 pëlqime.
Marko Kepi, një tjetër përdorues, shpërndau disa fotografi të Marinës Amerikane, në të cilën shihen dy ushtarë duke bërë simbolin e shqiponjës dhe shkroi:
“E dashur FIFA, përshëndetje nga Marina Amerikane dhe Senatori i Nju Jorkut, Marty Golden. Ky nuk është një simbol i urrejtjes por simbol i krenarisë shqiptare”.
Një tjetër llogari në Twitter postoi fotografinë e këpucëve të Shaqirit, me flamujt e Zvicrës dhe Kosovës në to dhe shkroi:
“Babai i Granit Xhakës ishte burgosur nga serbët. Familja e Xherdan Shaqirit iku nga fshati, shtëpia e xhaxhait të tij ishte djegur. Ata erdhën në Zvicër si refugjatë. Për Kosovën dhe Shqipërinë kjo ishte më shumë sesa futboll”.
Rusty Woodger, bëri një tjetër tweet drejtuar FIFA-së, ku shkroi:
“Tifozët serbë me xhemperë të Ratko Mladic në ndeshjen e Botërorit kundër Zvicrës natën e kaluar. Mladic është dënuar me burg të përjetshëm për gjenocid, krime lufte dhe krime ndaj njerëzimit”.
Një tjetër tweet, që gjithashtu mori shumë pëlqime, ishte i përdoruesit @albooo_, i cili shkroi duke postuar një fotografi të një ushtari serb me tre gishta ngritur lartë dhe lojtarët serbë duke festuar një gol ngjashëm, me tre gishta lartë:
“Më duket tronditëse se si lojtarët serbë mund ta bëjnë “përshëndetjen me tre gishta” – një shenjë kjo që është përdorur nga ushtarët serbë për të festuar vrasjen dhe masakrimin e shqiptarëve gjatë luftës – e të mos dënohen, kurse Xhaka dhe Shaqiri mund të dënohen për shkak të festimit të tyre?”.
Gjithashtu, një statujë e zbuluar në Durrës kohë më parë, që i përket shekullit të katërt para Krishtit, është shpërndarë me të madhe nëpër rrjete sociale, në përpjekje për t’ia bërë me dije FIFA-së se ky simbol i shqiponjës është thjeshtë një simbol shqiptar i njohur botërisht dhe jo një provokim, shkruan Gazeta Express.