Komuna e Ferizajt e gatshme të përmbushë përgjegjësitë e saj që dalin nga Strategjia për Parandalim të Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm 2015-2020 dhe Plani i Veprimit.
Paraditen e sotme, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i shoqëruar edhe nga Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Afrim Llabjani dhe drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Xhemile Murati Shabani si dhe Komandanti i Stacionit Policor në Ferizaj, Imer Kaqara, kanë pritur në takim përfaqësuesit e Sekretariatit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës. Në këtë takim është diskutuar për rolin e komunave në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm, hapat që sipas strategjisë kombëtare për luftimin e terrorizmit, duhet të ndërmarr niveli lokal si dhe disa prej masave që pushteti lokal duhet të implementoj në shkolla, siç janë: përfshirja e psikologëve në stafin mësimor në shkolla, ligjërim dhe aktivitete vetëdijësuese në luftën kundër terrorizmit, ri integrimi në shoqëri si dhe një varg veprimesh që duhet të ndërmerren me qëllim rritjen e sigurisë në përgjithësi e në shkolla në veçanti.
Ndër të tjera në këtë takim u diskutua edhe për zbatimin e Strategjisë dhe Planin e Veprimit; rolin dhe përgjegjësitë e nivelit lokal sa i përket zbatimit të aktiviteteve në Planin e Veprimit, informimin i dyanshëm në lidhje me aktivitetet dhe projektet që zhvillohen dhe qe do të zhvillohen nga niveli lokal, vazhdimi i bashkëpunimit të nivelit lokal dhe atij qendror në lidhje me zbatimin sa më efikas të Strategjisë dhe Planin e Veprimit.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu falënderoi drejtuesit e Sekretariatit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës për gatishmërinë që të ndihmojnë Komunën e Ferizajt në jetësimin e projekteve që kanë për qëllim ngritjen e nivelit të vetëdijes qytetare, me theks të veçantë të rinjtë në luftën kundër terrorizmi, fenomen ky global që po shkakton pasoja afatgjata në shoqëritë ku ky fenomen është prezent.
Në anën tjetër, drejtuesit e Sekretariatit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës falënderuan Kryetarin e Ferizajt, Agim Aliu për pritjen, gatishmërinë dhe vendosmërinë që në kuadër të platformës së tij qeverisëse ka të përfshirë edhe komponentën e sigurisë në shkolla, garantimin e sigurisë për nxënësit si dhe aktivitetet e përbashkëta që synohen të realizohen në kuadër të strategjisë lokale në luftën kundër këtij fenomeni global.
Qeveria e Republikës së Kosovës në shtator të vitit 2015 ka aprovuar Strategjinë për Parandalim të Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm 2015-2020 dhe Planin e Veprimit. Plani i Veprimit është projektuar për të zbatuar objektivat strategjike përmes aktiviteteve specifike dhe konkrete për Parandalim të Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm.