18,11,2024

Me Planin Zhvillimor të Arsimit synohet ngritja e cilësisë

Must Read

 

Në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Ferizajt, u miratua Plani Zhvillimor Komunal i Drejtorisë së Arsimit për katër vitet e ardhshme. Gjatë prezantimit të këtij vendimi, zyrtarë të ekzekutivit thanë se ky plan i cili ka për qëllim harmonizimin e nevojave reale të kësaj fushe me planin strategjik të arsimit në Kosovë, do të përqendrohet në pesë fusha, ku sipas drejtorit të sapoemëruar të arsimit Afrim Llabjani ato janë: Menaxhimi i arsimit dhe administrata, Sigurimi i cilësisë, Implementimi i kurrikulës së re, Zhvillimi profesional i mësimdhënësve dhe mjedisi shkollor.

“Pas përcaktimit të fushave të planit është realizuar analiza e gjendjes përmes metodologjisë SWOT, si dhe janë mbledhur të dhëna që shërbyen për qëllime të planifikimit. Të dhënat janë siguruar nga dokumentet ekzistuese të DKA-së dhe MASHT-it. Pas kësaj është përcaktuar vizioni dhe misioni i planit zhvillimor, ku do të thotë se me vizion parashihet rritja e mirëqenies në komunën e Ferizajt përmes arsimimit cilësor të gjeneratave të reja në funksion të zhvillimit të burimeve njerëzore, të ekonomisë dhe të ngritjes së cilësisë të shërbimeve për qytetarë, si dhe misioni i cili parasheh ofrimin e arsimit cilësor për të gjithë nxënësit e komunës së Ferizajt përmes promovimit të mësimdhënës bashkëkohore dhe nxitjes së llogaridhënies”, tha Llabjani.

Ky Plan Zhvillimor i Arsimit, në fakt u parapëlqye nga të gjithë anëtarët e Kuvendit, por para votës që ia dhanë pati edhe diskutime të ndryshme. Ishin kryesisht anëtarët opozitarë të cilët kërkuan që ky plan mos të mbetet veç në letër. Pati vërejtje që në këtë plan janë paraparë shumë aktivitetet, për realizimin e të cilave mungon mbështetja financiare.

“Për shembull është sigurimi i pedagogëve dhe psikologëve nëpër shkolla, që është menduar prej këtij muaji të realizohet dhe parashihet një fond prej mbi 5 mijë euro, ndërsa ne e dimë që për këtë vit asnjë cent nuk është ndarë për këtë projekt. Po ashtu është aktiviteti tjetër trajnimi i drejtorëve për monitorim dhe vlerësimin e mësimdhënësve, ku në bazë të këtij plani ky aktivitetet parashihet të filloj prej marsit të këtij viti, e që shuma e paraparë është diku 396 euro për këtë vit, por që edhe këtu është bosh kjo vlerë”, tha Imri Hashani nga LDK.

“E shoh që në këtë plan nuk është përfshirë një fushë e rëndësishme që ka të bëj me fëmijët me nevoja të veçanta. Në komunën e Ferizajt sipas informatave që kam marrë janë 212 fëmijë me nevoja të veçanta, ndërsa familjet që përballen me këtë problematikë janë shprehur të dekurajuar nga mbështetja shtetërore që ju bëhet këtyre familjeve dhe dhe kërkojnë që të përmirësohen kushtet në shkolla tona në mënyrë që edhe këta fëmijë ta kenë një qasje më të lehtë drejt integrimit në shoqëri. Tash për tash në shumicën e shkollave ku janë ata mungojnë stafi profesional, mjetet didaktike, infrastruktura e të tjera”, tha Enver Haliti nga VV.

Realizmi i Planit Zhvillimor Komunal i Drejtorisë së Arsimit për vitin 2018-2022 ka paraparë një fond prej mbi 11 mijë eurove, pa llogaritur shpenzimet operative të zakonshme . Këto mjete buxhetore u tha se do të merren nga buxheti i komunës, Qeverisë së Kosovës dhe donatorët, transmeton Televizioni Tema.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img