Dhjetëra të rinj ferizajas janë takuar me përfaqësues të bizneseve të këtushme në kuadër të projektit “Rinia, Punësimi dhe Aftësimi Profesional në Kosovë”, financuar nga Ministria e Federatës Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, nga Ambasada Gjermane dhe GIZ-i. Përfaqësues të GIZ-it, theksuan se ky takim ka për qëllim shkëmbimin e përvojave në mes të punëdhënësve dhe punëkërkuesve .
“Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti është që të sjellim së bashku në një vend punëkërkuesit, por edhe punëmarrësit me të rinjtë të cilët tashmë janë mirë të pajisur me trajnime dhe shkathtësi të caktuara”, tha Julia Becker.
Ndërsa, udhëheqësja e sektorit të rinisë në komunën e Ferizajt Dashurie Ahmeti, u shpreh se ky takim është i një rëndësie të veçantë, pasi për herë të parë, të rinjtë që kanë kryer punën praktike, patën rastin të takohen me punëdhënësit.
“Sot është hera e parë e formatit të takimeve mes bizneseve dhe punëkërkuesve, ky takim është në formë tjetër, ideja e krejt kësaj është që me u ofru punëkërkuesve ose ata që kanë kalu nëpër trajnime të qendrës së rinisë të ofruar gjatë dy mujorit të parë të vitit 2018 të mund të kontaktojnë me bizneset që tashmë kanë vende të lira apo kanë mundësi praktikën në punë, pasi nga trajnimet që ne kemi bërë si kuzhina, rrobaqepësia e disa praktika të tjera dhe disa nga bizneset janë këtu dhe besoj se kanë nevojë për profesionistë”,tha Ahmeti.
Se do t’i ndihmojnë të rinjtë në punësim, u zotua edhe drejtori i Zhvillimit Ekonomik Zekir Bytyqi.
“Në bashkëpunim me donatorë të ndryshëm do të krijojmë programe të ndryshme që do t’ua mundësojnë të rinjve për me hap biznese, gjithashtu do të krijojmë fondin e punësimit i cili është në program dhe do të rritë të hyrat e biznesit që do të zhvillohen në të ardhmen, duke bërë kështu edhe krijimin e vendeve të reja të punës”, tha Bytyqi.
Megjithatë, në këtë takim pati edhe ankesa për praktikantët.
“Shumica thonë se dinë me kry punën, p.sh unë kom rrobaqepësi, ndërsa praktikanti kur vjen thotë se e di punën, por kur të filloj të punoj nuk është i gatshëm ose një ditë vjen në praktik, një ditë jo”,tha një punëdhënës.
U bë e ditur se nga ky projekt që ka nisur në fund të vitit 2017, janë punësuar më shumë se 15 të rinj, transmeton Televizioni Tema.
Must Read