Ferizaj. 27.03.2018. Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, respektivisht me Agjencinë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka hapur sot në Ferizaj kampanjën “Drejtësia dhe biznesi”.
Kampanja, që organizohet në kuadër të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të ligjit, synon që të takoj bizneset nga gjithë Kosova për të diskutuar me ta lidhur me problemet që kanë lidhur me qasjen në drejtësi dhe sesi këto probleme reflektojnë në biznesin e tyre.
Me këtë rast, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka theksuar se Rishikimi Funksional është reforma më e madhe e ndërmarrë ndonjëherë, që do t’i jap përgjigje më të saktë problemeve me të cilat ballafaqohen bizneset.
“Ne tashmë kemi bërë lëvizje pozitive me funksionalizmin e profesioneve të lira, të cilat bashkë me masat tjera e kanë ngritur Kosovën shumë më lartë në indeksin e të bërit biznes. Bashkërisht mëtojmë që edhe më tutje të punojmë në drejtim të lehtësimit të procedurave për bizneset, hapjes së mëtejshme të institucioneve dhe krijimit të një qasje edhe më pozitive ndaj bizneseve. Nuk jam i interesuar që të ketë reformë në letër. Jam i interesuar që këtë reformë ta bëjmë bashkë me ju, me synim që sistemi i drejtësisë tua lehtësojë punën e juaj e jo te jete barrë për ju” ka thënë ministri Tahiri.
Në këtë takim morën pjesë edhe Kryetari Komunës së Ferizajt, Agim Aliu dhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga ky qytet, Elmi Reçica.
Me këtë rast kryetari i Ferizajt, Agim Aliu është shprehur se përveç mungesës së gjykatave, Republika e Kosovës është e mangët edhe sa i përket ligjeve për këtë fushë të ndjeshme.
“Pa dyshim që problemi kryesor dhe fundamental në Kosovë është sundimi i rendit dhe ligjit, prandaj legjislacioni në Kosovë duhet të bënte më shumë në këtë drejtim. Unë kam një përvojë nga komisioni për legjislacion sa isha deputet dhe po e them në thonjëza që jam habitur se si është e mundur që në Republikën e Kosovës pas kaq vitesh, unë kam qenë në legjislacionin e pestë, ende ka pasur ligje të cilat do të duheshin të ishin pjesë e një përfundimi në legjislacionin e dytë apo të tretë. Këtu kanë qenë ngecjet e një legjislacioni më të përshtatshëm dhe të jetë në funksion në të bërit biznes”, tha Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.
Ndërsa si panelist morën pjesë edhe përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane të cilët theksuan se siguria juridike e bizneseve, apo pamundësia për të mbrojtur të drejtat e veta mbetet njëra ndër problemet kryesore për bizneset në Kosovë.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e bizneseve janë ankuar sidomos në procedurat e zgjatura tek gjykatat, duke kërkuar profesionalizëm dhe efikasitet më të madh nga përmbaruesit privat.
Në fund, u tha se takime të tilla do të mbahen edhe në të ardhmen, dhe do të punohet bashkërisht në gjetjen e zgjidhjeve sa më efikase që qasja në drejtësi për biznese të jetë sa më e shpejt.