23,12,2024

Shënohet 10 vjetori i Pavarësisë së Republikës së Kosovës

Must Read

Ferizaj.17.02.2018. Qindra qytetarë, drejtues të pushtetit lokal dhe qendror, deputetët të Parlamentit të Republikës së Kosovës, drejtues të shoqatave të dala nga lufta, por edhe mysafirë të tjerë kanë marr pjesë në Akademinë Solemne të organizuar për nder të 10 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Në hapjen solemne të kësaj akademie, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se viti 2018, është viti i jubileve të mëdhenj të emancipimit politik të kulturës e qytetarisë shqiptare. Ai tutje është shprehur se ky është viti mbarëkombëtar i Skënderbeut, në 550 vjetorin e përjetësisë së tij, 140 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, 20 vjetori i Epopesë së lavdisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Jezercin legjendar, si dhe 20 vjetori i Epopesë së Jasharajve.

“Por, sot, me zjarrin e arritjes më të madhe të brezit tonë, shënojmë dhjetë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, shtetësia e aprovuar e së cilës, i ka dhënë botës mesazhin e njohjes së nocionit të lirisë, në thellësinë e përmbajtjes së saj të natyrshme. Dhjetë vjet më parë, edhe në Ferizaj, si në tërë Kosovën dhe më gjerë-gjithkund kah janë shqiptarët, historia parakaloi më tërë madhështinë e virtytit të saj. Do të duhej që sot të flisnim vetëm për të arriturat tona. Dhe, të arriturat, nuk janë të pakta. Kosova sot është një shtet i njohur ndërkombëtarisht, në rrugë të mirë, të sigurte e të pakthyeshme drejt konsolidimit të plotë të saj.

Të arriturat e derisotme në fuqizimin e shtetësisë të Kosovës, bëhen edhe më të rëndësishme kur kemi parasysh sfidat dhe vështirësitë në këtë rrugë të trazuar historike”, ka thënë kryetari Aliu, përderisa ka shtuar se aktualisht, ballafaqohemi me vështirësi të shumta, me pengesa artificiale dhe me komplote politike që synojnë minimizimin e të arriturave tona.

“Por, çfarëdo projekti rrënues, ndonëse me efekte të dëmshme kohë pas kohe, është i paperspektivë. Pavarësia e Kosovës, përveç si një e drejtë historike e patjetërsueshme e popullit tonë, është vulosur edhe me gjakun e mijëra dëshmorëve e martirëve, të rënë në ballafaqimin e vendosur e të virtytshëm, ndërmjet njerëzores e barbarisë.
Në këtë ballafaqim, ne ishim triumfuesit dhe, bashkë, do t’i sfidojmë e mundim edhe të gjitha pengesat në rrugën e mbetur të sendërtimit të idealeve tona shekullore të bashkimit dhe integrimit me konceptin demokratik e liridashës të botës së përparuar.

Komuna e Ferizajt, që nga viti 1999 dhe në mënyrë të veçantë, që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, ka shënuar arritje të mëdha”, potencoi i pari i Ferizajt, Agim Aliu.

Në fjalën e tij Kryetari Aliu, është shprehur se Komuna jonë, aktualisht, është ndër tri qendrat më të mëdha dhe më të fuqishme ekonomike, kulturore e qytetare, në shtetin tonë.

“Jemi të vendosur, që çfarëdo traume të përkohshme, ta kthejmë në motivim të thellë, për të punuar me përkushtim e vendësmëri që Ferizaj, të jetë kryeqyteti ekonomik, kulturor e qytetar, jo vetëm në nivel të Kosovës.
Toleranca ndërnacionale, paqja qytetare dhe identiteti i fuqishëm tradicional, kombëtar e historik, do të jenë shtylla në të cilën ne do të mbështetemi gjatë rrugëtimit tonë më tutje. I sigurojmë qytetarët tanë, që do të jemi besnikët e palëkundur të angazhimit drejt përmbushjes së idealeve të tyre të virtytshme.

Në këtë dhjetëvjetor, rikthejmë kujtimin në kohë. Kujtojmë sakrificën dhe rezistencën madhështorë të brezave tanë paraardhës, në ruajtjen e identitetit dhe formësimin e esencës së botëkuptimit për lirinë. Kujtojmë të persekutuarit, martirët, të shperngulurit me dhunë. Kujtojmë dhembjet me të cilët u rritëm e ecëm. Kujtojmë motivimin me të cilin u rreshtuam në mbrojtjen dhe ngritjen e godinës së përbashkët të identitetit. Në veçanti, ndajmë emocionet e kujtimit me fatin tonë të përbashkët në luftën e fundit në Kosovë. Nderojmë sot me respekt heroizimin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kujtojmë plagët e luftëtarëve dhe krejt përulësisht, nderojmë veprën e pavdekshme të dëshmorëve e heronjve tanë.

Çdo fjalë që e themi për ta, çdo monument në nderim të tyre, tek ne dhe nëpërmjet nesh, tek brezat pasardhës, është e do të jetë mësimi më madhështor për detyrimin ndaj idesë së natyrshme të lirisë e shtetformimit”, tha Aliu.

Numri një i qytetit të Ferizajt, Agim Aliu, në fjalën e tij, ka përmendur edhe martirizimin e tërë popullit tonë, që në periudha të rëndësishme historike, diti të jetojë e të mbijetojë, duke ruajtur me fanatizëm dy vlerat esenciale njerëzore: Zjarrin e liridashjes dhe gatishmërinë e shpërndarjes së virtytit të qytetarisë.

“Me ne, në dekadat e fundit, pandashëm rrugëtuan miqtë tanë ndërkombëtarë.

SHBA dhe shtetet e fuqishme të Aleancës Veri-atlantike, njohën thirrjen e të drejtës së historisë, dhe në luftën e fundit në Kosovë, vendosmërisht u rreshtuan në anën e botëkuptimit të lirisë. Në Ferizaj, ndjehemi të privilegjuar në mënyrë të veçantë, duke pasur më afër bazën e SHBA-së-Bondsteel-in, si një monument të pakrahasueshëm të miqësisë dhe mbrojtjes së vlerave te devotshme të lirisë, paqes e demokracisë. I sigurojmë miqtë tanë, që ndonëse ndonjëherë me ndonjë traumë të përkohshme, nuk do t’i zhgënjejmë asnjëherë në idealet tona të përbashkëta”, ka deklaruar Aliu.

Të pranishmit me një fjalë rasti i ka përshëndetur edhe kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së Gafurr Bytyqi. Ai ka vlerësuar tejet lartë të gjithë ata që kontribuuan në pavarësinë e shtetit tonë.

Në fund u shfaq edhe një program i pasur kulturo-artistik i përgatitur enkas për 10 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, nga Orkestra e Qyteti si dhe kori i shkollës së mesme të muzikës “Çesk Zadeja” në Ferizaj.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img