28,11,2024

Promovohet libri ”Mallkimi i shekujve” i autorit Gazmend Bytyqi

Must Read

Ferizaj.14.02.2018. Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, sonte në teatrin e qytetit “Adriana”, është bërë promovimi i librit “Mallkimi i shekujve” i autorit Gazmend Bytyqi.

Redaktori i librit Sylejman Dermaku, me këtë rast e ka vlerësuar tejet lart këtë libër të autorit Gazmend Bytyqi, pas romanit të tij të parë “Karabina e gjyshit”. Ai ka bërë edhe një krahasim mes këtyre dy romaneve.
“Dallimi i vetëm qëndron ne faktin se, ngjarjet janë kryesisht reale në këtë roman, me mjeshtrit dhe sens të mrekullueshëm janë gërshetuar fiks imagjinatën e realja, sa nganjëherë kufiri mes gomave shkrihet tërësisht aq natyrshëm saqë ne nuk do ta kompensojnë njëra tjetrën, siç ndodh edhe ne realitetin jetësor, i cili nuk do të ishte i plotë, por fiktiv pa ëndrra, pa shpresën, të cilat thënë figurshëm, janë erëza që jetës i japin shije e kuptim”, ka thënë redaktori Dërmaku.

Edhe studiuesja e letërsisë Zyrafete Shala, ka folur gjerë e gjatë për romanin “Mallkimi i shekujve”.

Ndërsa recensenti i librit Arsim Hamiti ka thënë se autori ka arritur që në rreth 170 faqe të romanit të sjellë një rrëfim sa interesant po aq edhe të veçantë, që i sjellë letërsisë një risi të shtjellimit ideo tematik dhe narracional, një mënyrë të re të konceptimit dhe ndërtimit të rrëfimit dhe po ashtu një risi në përmbajtje dhe stil të të shkruarit.
“Në këtë roman ne shohim të ndërthurura nga autori tri rrëfime të ndryshme, të shtjelluara po ashtu në tri rrafshe të ndryshme të rrëfimit, të cilat ndërtojnë temën bosht të romanit, e cila ka të bëjë me krijimin e identitetit shqiptar dhe qenësinë kombëtare nga lashtësia e deri më sot. Rrëfimi i parë, njëkohësisht rrëfimi kryesor që e tejshkon veprën ndërtohet në një të kaluar jo të largët, e konceptuar si kohë e tashme në roman dhe që shtjellon aventurat e kryepersonazhit Gurit në realitetin e pas luftës në Kosovë. Ai si i thirrur nga një jehonë e moçme shekujsh, ndalon rutinën e tij ditore dhe jepet pas zbulimit të një relikti të lashtë që e end atë nëpër vende dhe situata të panjohura dhe të pa parashikueshme. Këtu duhet të themi se autori arrin me një zotësi të madhe të krijojë, interpretojë dhe të na ofrojë me nota mjaf realiste dhe me një gjuhë të qartë për lexuesin të gjithë botën e personazheve dhe realitetin e tyre përmes një figuracioni të pakët dhe të kujdesshëm, si dhe përmes një stili të thjeshtë dhe domethënës, që i ofrohet realitetit që njohim ne me një saktësi magjepsëse. Kjo pjesë, e cila përndryshe paraqet edhe rrafshin kryesor të rrëfimit, gjithashtu shquhet për gjuhën jo të komplikuar të personazheve dhe për impaktin filozofiko social që vije si metaforë e mendësisë dhe traditës shqiptare që mbart populli jonë në këto treva”, ka thënë recenzenti i librit Arsim Hamiti.

Ndërkaq autori i librit Gazmend Bytyqi, ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në promovimin e librit të tij, duke theksuar se në të ardhmen do të ketë edhe romane të tjera.

Gazmend Bytyqi, ka përfunduar Shkencat Politike dhe Administratën Publike në Fakultetin Filozofik. Me shkrime letrare dhe publicistikë është marrë nga vitit 1997, të cilat i ka botuar në revista, gazeta e portale të ndryshme. Ka botuar romanin “Karabina e gjyshit” në vitin 2016, ndërsa “Mallkimi i shekujve” është romani i tij i dytë.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Në fundjavë, “KUPA E FEDERATËS 2024”

Spektakli i volejbollit në Kupën e Federatës, fillon këtë fundjavë! Këtë fundjavë nis edicioni i ri i Kupës së FVK-së,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img