Ferizaj.29.12.2017. Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Ferizaj, Besnik Berisha në konferencën e sotme për medie, ka njoftuar se të gjithë punëtoreve shëndetësor që kanë pasur marrëdhënie pune përmes Caritas Kosovës, ju ndërprehet marrëdhënia e punës.
Drejtori Berisha tutje është shprehur se ndërprerja e kontratës po behet me rekomandim të drejtuesve të Caritas Kosovës.
“Nuk është faji i pushtetit tonë, por as i Caritas Kosovës, por është një keq menaxhim i pushtetit të kaluar që ka futur në këtë kontrate, njerëz që nuk i plotësojnë kriteret për me qenë punëtorë në Qendrat e Mjekësisë Familjare, përkatësisht në kujdesin primar shëndetësor. Janë lënë borxhe të mëdha, dhe për këtë arsye edhe Caritas Kosova, ka rekomanduar që të ndërpresim kontratën për shkak se janë 330 mijë euro borxh”, ka thënë Berisha, përderisa ka ndjere keqardhje për punëtorët shëndetësor.
“Neve na vjen keq për punëtoret, por do të angazhohemi që gjatë muajit janar, të formojmë komisione të përbashkëta që t’i identifikojmë nevojat për staf të nevojshëm dhe profesional, që një numri të këtyre punëtoreve t’ju vazhdohet kontrata, sidomos kur është fjala tek përkujdesja shtëpiakë. Është edhe një rast tjetër me një akt emërim ku është mashtruar punëtori, dhe është dërguar në QKMF. Është akt emërim, jo ligjor me gabime të shumta dhe është akt emërimi për një pozitë që nuk ekziston në QKMF, është përkthyes i gjuhës serbe dhe anasjelltas”, ka potencuar drejtori Berisha.
Drejtues të shëndetësisë ferziajase kanë thënë se prioritet do ta kenë pagesën e punëtorëve, pavarësisht keq menaxhimit që është bërë nga pushteti i kaluar. U bë e ditur se kontrate punë me Caritas Kosovën kanë pasur 162 punëtorë.