Ferizaj.27.12.2017. Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, këtë të mërkurë, ka bërë emërtimin e amfiteatrin të madh me emrin e humanistit ferizajas Hyzri Beqiri-Varoshi.
Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), emërton Amfiteatrin e Madh me emrin e humanistit dhe patriotit, Hyzri Beqiri-Varoshi.
Duke pasur parasysh veprat, humanizmin dhe sakrificën që bëri Hyzri Beqiri-Varoshi për arsimimin e të rinjve të Ferizajt, Këshilli Drejtues i UShAF me propozim të rektorit, Prof. Dr. Agron Bajraktari, mori Vendim që Amfiteatri i Madh i Universitetit të mbaj këtë emër.
Rektori Bajraktari para të pranishmëve, shpalosi historikun e rrugëtimit të institucionit tonë që nga themelimi si Qendër e Shkollimit të lartë e deri më sot si Universitet i Shkencave të Aplikuara.
Rektori Bajraktari theks të veçant i dha periudhës së institucionit kur veprimtarinë e zhvilloi në objekte private e posaçërisht në shtëpinë e humanistit, Hyzri Beqiri – Varoshi. Po ashtu ai theksoi se edhe përkundër sfidave të shumta situata u mbijetua dhe sot gjendemi në këtë institucion modern dhe unik në Kosovë.
“Sot është ditë e veçantë, sepse po përkujtojmë një humanist, vizionar, njeri të sakrificave, i cili u përball me vështirësi të shumta, por që ideali i tij e arriti qëllimin. Ai ishte njeri i madh, i cili e vuri në sprovë të madhe familjen, si dhe tërë pasurin e tij e vuri në shërbim të popullit. Po ashtu, në momentet më të vështira ndihmoj me ushqim dhe veshmbathje studentët, si dhe popullatën skamnore”, tha Rektori.
Ndërsa kryetari i komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu, falënderoj UShAF për organizim të këtij evenimenti të rëndësishëm duke bërë përshkrimin kronologjik të sfidave të të gjithë popullit shqiptar. Njëkohësisht uroj rektorin Bajraktrari për cilësinë dhe të arriturat e UShAF.
Isak jashari drejtor në atë kohë foli për disa ngjarje dhe sfida me të cilat ishin përballur me pushtetin serb.
Hidajete Beqiri falënderoj rektorin për këtë mirënjohje të bashkëshortit dhe ndjehet e kënaqur që bashkëshorti i saj i ndjerë po përkujtohet për veprat dhe aktivitetet, të cilat i kishte bërë në kohën më të vështirë të popullit shqiptarë.
Ndërsa mbesa e Hyzrië, Toska Nimani foli për gjyshin e saj dhe për atë se sa të nderuar ndihen si familje për këtë mirënjohje. Ndërsa nipi Edi Nimani performoj një pikë muzikore në piano.
Shpalosjen e pllakës së emërtimit të Amfiteatrit, me emrin e Hyzri Beqiri – Varoshi, e bënë së bashku rektori, z. Agron Bajraktari, kryetari, z. Agim Aliu dhe bashkëshortja e Hyzriut, znj. Hidajete Beqiri.
Po ashtu, pjesëmarrësit patën rastin që të vizitojnë ekspozitën e punimeve të studentëve të Arkitekturës së Interierit dhe Dizajnit të Mobileve, ndërsa u shërbyen me pije dhe ushqime të përgatitura nga studentët e Hotelerisë dhe Turizmit, ku u shoqëruan me muzikë nga grupi Fortuna.
Pjesëmarrës në këtë eveniment ishin edhe deputet të Kosovës, kryetarë të komunave të Kosovës, përfaqësues të Bashkësive fetare, udhëheqës të arsimit dhe qytetar të Ferizajt.