Ferizaj.20.12.2017. Në fillim të kësaj mbledhje Partia Demokratike e Kosovës, propozoi Kristina Gashi-Bytyqin për kryesuese të Kuvendit, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, propozoi Bahrije Hysenin për kryesues.
Por, me shumicë votash kryesuese e Kuvendit u zgjedh, Kristina Gashi-Bytyqi . Ajo pas marrjes së mjaftueshme të votave, para anëtarëve të Kuvendit të Komunës, u shpreh mirënjohëse ndaj të gjithë atyre që votuan që ajo të jetë kryesuese për mandatin katër vjeçare.
“ Me lejoni që t’ju përshëndes, dhe t’ju falënderoje në mënyrë të veçante koleget e anëtaret e Kuvendit të Komunës, për besimin e dhënë për tu zgjedhur kryesuese e Kuvendit Komunal të Ferizajt. Deri më tash pozita e gruas në vendimmarrje në komunën tonë, nuk ishte në nivelin e kënaqshëm dhe roli i tyre në pushtetin lokal dhe bilancin gjinor në vendimmarrje rrallë, ka tejkaluar pozitën e këshilltares komunale. Sot në Ferizaj, po fillon një kapitull i ri në institucionet komunale, sot në Ferizaj po shkruhet histori që një femër po udhëheq me një institucion kaq të rëndësishëm vendimmarrës siç është Kuvendi i Komunës”, ka thënë Gashi-Bytyqi.
Kryesuesja e zgjedhur e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi-Bytyqi, është zotuar se do të bashkëpunojë ngushte me partitë politike, shoqërinë civile dhe mediat për një transparence shumë më të lartë.