Për problemet e personave më aftësi të kufizuara diskutoi edhe shoqata ‘’Hendifer’’ në Ferizaj. Udhëheqësja e kësaj shoqate Fazlie Bungu, tha se kjo kategori e shoqërisë gëzon shumë pak të drejta. Përmes këtyre takimeve, Bungu tha se po synojnë vetëdijesimin e institucioneve për respektimin e ligjeve që janë miratuar për këta persona.
“Ne kemi ftuar të gjitha institucionet, përfaqësues të partive politike, anëtarë tonë, në këtë program do t’i ngrisim disa çështje që neve na preokupojnë, siç janë infrastruktura, punësimi, pensionet, e shumë të tjera, ne do t’i japim mesazhet e tona dhe nga ky takim presim që të vetëdijesohen institucionet dhe të fillojnë zbatimin e ligjeve ashtu siç i ka hije dhe ashtu siç duhet me qenë”,tha Bungu.
E pakënaqur me gjendjen e personave me aftësi të kufizuara u shpreh edhe Hava Musliu e cila i takon kësaj kategorie.
“Jemi të kënaqur me këta, por jo me kushtet që i kanë, është mjerim, mërzitem kur të shkoj aty dhe i shoh, kushte nuk kemi, është mirë kush na ndihmon, po mërzitem se në mesin e tyre jam dhe unë, shpresoj të bëhet mirë e mendojnë për ne, ndoshta janë mundu me na ndihmu, po nuk ka pasur mirë diçka për ne”, tha Musliu.
Ndërsa, vullnetarët që janë pjesë e kësaj shoqate, e që numri i tyre arrin deri në 30, thanë se të bësh punë vullnetare është gjëja më njerëzore.
“Jam që tri vite në këtë shoqatë, ne shkojmë në vizitë tek personat në nevojë, shkojmë ua palojmë drutë, u ndihmojmë me shku në treg e punë të tjera dhe jam shumë krenare që këta persona i bëj me u ndi mirë dhe me iu ndihmu në punët që ata nuk munden me i bë”, tha Luftrim Topalli.
“Jam shumë e kënaqur që jam në këtë shoqatë, ne u ndihmojmë personave që janë në nevojë dhe është një ndjenjë shumë e mirë kur ne u ndihmojmë personave që kanë nevojë për ndihmën tonë”, tha Mirsie Beqa.
Shoqata “Hendifer” ka të regjistruar 1400 anëtarë, ku vetëm gjatë këtij viti asaj i janë bashkuar edhe 72 anëtarë të rinj, ndërkaq prej këtij numri 67 persona marrin shërbime të rregullta çdo ditë, transmeton Televizioni Tema.