Ferizaj.27.11.2017. Nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollave fillore të komunës së Ferizajt vizituan sot kazermën ‘’Skënderbeu’’ të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes e cila ndodhet në këtë qytet. Ata u pritën nga oficerët e KDS-së, ku u njoftuan për misionin, detyrat e përgjegjësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës si dhe aktivitetet që zhvillohen në këtë kazermë. Kjo vizitë u bë në kuadër të ‘’Ditës së Hapur’’, e cila shënohet çdo vit me rastin e ditës së themelimit të kësaj force.
“Të gjitha njësitet e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, janë organizuar dhe përgatitur për një paraqitje sa më të mirë të misionit dhe detyrave të tyre. Këtu janë katër shkolla gjithsej, të gjitha i kanë paraqitur pajisjet, personelin e tyre dhe çdo tjetër çfarë ju ka interesuar vizitorëve. Kjo është diçka shumë e mirë, sepse edhe ne si uniformë e ndiejmë vetën të lumtur sepse kështu jemi shumë me afër popullit”, tha kapitenia Florije Osmani, zëvendësshefe e personelit të KDS-së.
Nxënësit dhe mësimdhënësit që e vizituan KDS-në, u shprehën të kënaqur që patën rastin të shohin pajisjet, ambientet si dhe aktivitetet e FSK-së.
“Shumë më ka pëlqyer këtu sot, jam e lumtur që isha vizitore. Mësova shumë gjëra me të cilat punon ushtria jonë”, tha Vlera Kashtanjeva.
“Edhe mua më pëlqej, sidomos prezantimi i armëve, ushtarët ishin shumë të gëzuar”, tha një nxënës i klasës së katërt.
“O shumë mirë, shumë mirë, mezi e kemi pritur këtë ditë me ardhë me pa punën e ushtrisë tonë, të shtetit tonë”, tha Xhemshir Reshani.
“Sot jemi ardhur me organizim nga shkolla “Gjon Serreçi”, fëmijët patën shumë kureshtje dhe bën shumë pyetje për pjesëtarët e FSK-së, prandaj mendoj se ia ka vlejtur shumë kjo ditë që t’i sjellim nxënësit këtu dhe nga afër të shohin ushtarët dhe gjësendet me të cilat ata punojnë çdo ditë”, tha mësuesja Filloreta Alidemi- Ferizi.
Përveç nxënësve, ambientet e kazermës ‘’Skënderbeu’’ kanë pasur mundësi t’i vizitojnë edhe qytetarët e tjerë prej orës 10:00 deri në orën 13:00, transmeton Televizioni Tema.