Nëntë nxënës ferizajas që kanë mbaruar shkollën e mesme, u nisën sonte për në Terni të Italisë, me synim që të regjistrohen për të studiuar në universitetin e Perugjës.
Me nxënësit u takua edhe kryetari i komunës Muharrem Svarqa, i cili i porositi ata që të jenë të zellshëm e të përkushtuar, në mënyrë që të lënë përshtypje shembullore në vendin mikpritës.
Kryetari Svarqa u uroi suksese dhe u premtoi mbështetje nxënësve të përzgjedhur për të studiuar në Itali.
Siç bëri të ditur drejtori komunal i shëndetësisë Burim Karameta, udhëtimin e nxënësve e mundëson komuna e Ferizajt, ndërsa akomodimin dhe ushqimin e ka marrë përsipër mikpritësi, humanisti, miku dhe qytetari i nderit i Ferizajt don Sand Shaboleta.
Fillimisht nxënësit ferizajas do t’i nënshtrohen një testi lidhur me shkallën e përvetësimit të gjuhës italiane, pastaj do të konkurrojnë në profilet e synuara, si mjekësi, bujqësi, veterinë, dizajn, shkenca bioteknike etj.
Lista e nxënësve:
Arta Neziri
Artana Kajtazi
Afrim Abazi
Ardijan Sahiti
Dorentin Haliti
Blerine Shala
Era Hamiti
Teuta Prekpalaj
Yll Hajdini