Të premten edhe zyrtarisht ka filluar asfaltimi i rrugëve në fshatin Dardani.
Banorët e fshatit Dardani, gjatë kësaj dite i janë gëzuar pa masë asfaltimit të rrugëve të tyre. Ata u shprehen tejet mirënjohës ndaj komunës së Ferizajt, për të gjitha investimet që po bën në këtë lokalitet.
Nazmi Emerllahu banorë i këtij fshati, tha se asfaltimi i rrugëve të tyre ka qenë më se i domosdoshëm. Tha se probleme kanë pasur në të gjitha stinët e vitit.
Nga afër punimet në asfaltimin e këtyre rrugëve e përcolli edhe numri një i qytetit të Ferizajt, Muharrem Svarqa, së bashku me drejtorin e infrastrukturës, Gafurr Ilazin, por edhe banorë të këtij lokaliteti. Me këtë rast kryetari Svarqa, u shpreh se asfaltimi i rrugëve të fshatit Dardani është tejet i rëndësishëm për këta banorë.
“Ky fshat është tepër i rëndësishëm për komunën e Ferizajt, i cili është kategorizuar si njëri ndër vendbanimet e mëdha të komunës sonë, por i cili për fat të keq një kohë të gjatë nuk ka përfituar investime infrastrukturore, nga buxheti i komunës sonë”, është shprehur kryetari Svarqa, duke thënë se punimet në këtë rrugë po kryhen me profesionalizëm dhe janë respektuar të gjitha standardet nga ana e operatorit ekonomik “Arlindi”.
“Qëllimi ynë është që parat publike aty ku investohet, të jenë në funksion permanent për investime profesionale. Unë i përgëzoj banorët për këto investime, por edhe i falënderoje për bashkëpunimin që kanë treguar në realizimin e këtij projekti të cilit të ardhmen do t’i shtohen edhe trotuaret, shtigjet për biçikleta dhe ndriçimi publik”, tha Svarqa.
U bë e ditur se punimet në këtë rrugë i ka kryer kompania “Arlindi”ndërsa rruga ka një gjatësi prej 5 kilometra dhe ka kushtuar mbi 350 mijë euro.