Nëpër kohë të ndryshme, atëherë kur të jetë e nevojshme na bie ndërmend për njerëzit e sakrificës, për idealistët, që sot nuk janë në mesin tonë, na bije ndërmend atëherë kur të na duhen për interesa përfitimi, na bie ndërmend që kemi Dëshmor të Kombit.
Nëse vërtet kështu na duhen, nuk e di?
Ndoshta jemi të prirë ta mashtrojmë vetë vetën, por edhe të tjerët. Ndoshta jemi mësuar në Kosovën e pasluftës me gënjeshtra, premtime asnjëherë të realizuara. Ndoshta shkollën e gënjeshtrave e kemi të ngulitur në kokë nga politikanet tanë, të cilët për kaq vite me radhë, nuk bënë asgjë, me përjashtime të pakta të disa individëve, të cilët edhe pse të zhgënjyer sërish ia duan të mirën Ferizajt.
Jemi mësuar të dëgjojmë fjalë të mëdha të disa politikanëve, nëpër tubime elektorale, e nëpër përkujtime të Dëshmorëve të Kombit, atëherë kur ju nevojiteshin vota, por një gjë e tillë nuk ndodhi sot në përvjetorin e nëntëmbëdhjetë (19) të Dëshmorit të parë të Zonëns Operative të Nerodimës, Nazmi Uksmajli.
Për çudi, në këtë kohë me shi përpos familjarëve, kishin gjetur kohë edhe një numër i caktuar i bashkëluftëtarëve të Dëshmorit të vinin në këtë përvjetor për të respektuar jetën, mundin e veprën e tij, por kjo nuk ndodhi edhe nga akteret e skenës politike, as të nivelit qendrorë, e besa as të atyre të nivelit lokal.
Politikanët ferizajas, nuk kishin patur mundësi të prishnin muhabetet që kishin filluar. Ata sot kishin ditë pushimi, të lodhur nga punët e rënda që bëjnë në interes të Ferizajt, e të Kosovës në përgjithësi, në diskutimet e gjata për pazare politike, sigurisht për të mirën e vendit, ju ka ikur nga kujtesa, se sot Ferizaj përkujton Dëshmorin e parë të rënë për lirinë e vendit, Dëshmori i cili asnjëherë nuk e takoj familjen e tij të ngushtë.
Në këtë ditë mbi varrin e Dëshmorit u vendosën lule të freskëta nga familjarët e ngushtë, por ajo që i tmerronte të pranishmit ishte pikërisht rruga e shtruar në kocka të betonit, e cila të qon pranë varrit të secilit Dëshmorë, në të cilën e kishte mbuluar bari.
Autoritetet komunale kanë angazhuar kompani për t’u marrë me mirëmbajtjen e tyre, por si duket tetori ende është larg për votë, e nuk e kishin parë të arsyeshme të merreshin me pastrimin e këtij vendi, që në kohë të ndryshme, për politikanët ferizajas, konsiderohej një vend i shenjtë, vetëm kur ju konvenon atyre, e jo sikur gjithë qytetarëve të tjerë, të cilët në vazhdimësi, e pa interes e shohin për ditë një vend të rëndësishëm e të respektuar.
Ky vend mirëmbahet vetëm atëherë kur kemi afër zgjedhjeve, përmes të cilës politikanët mundohen të përfitojnë edhe nga të vdekurit.
Vetëm atëherë kujtohet mundi, sakrifica që bënë Dëshmorët.
Vetëm atëherë politikanëve ju bie ndërmend, edhe për familjarët e tyre.
Vetëm në kohë fushatash, kujtohet heroizmi i Dëshmorëve që kishin në luftë për çlirimin e vendit.
Atëherë kur të jetë e nevojshme, për Dëshmorët thurën këngë lavdie, ngritën e madhërohen nga akterët politik, e jo në vazhdimësi.
A duhet të jetë kjo praktikë?
Pa dyshim se jo.
Dëshmorët duhet të kujtohen në secilin sekondë të kohës, të kujtohen edhe në gjysmë të natës, kur të trazohemi nga ëndrrat e këqija, që mund t’i ëndërronim, të kujtohen në mot me diell, me shi e dëborë.
Të kujtohen edhe atëherë kur nuk ka fushata, por edhe kur ka duhet kujtuar.
Politikanët, qytetarët, shoqëria në përgjithësi kemi obligim ndaj tyre dhe familjarëve të Dëshmorëve, sepse ata bënë atë që se bëmë ne, flijuan jetën për mua, ty, për vendin në përgjithësi.
Kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtje, duhet dhënë llogari për këtë papastërti që u pa sot, e jo vetë kjo, por bashkë me këtë kompani për mirëmbajtje përgjegjëse është institucioni i cili është caktuar për monitorim e vlerësim.
Marre ju koft!!!!!!!!!!
Lavdi gjithë Dëshmorëve të Kombit.?!
Lavdi gjithë atyre që lanë gjymtyrët nëpër beteja!
Lavdi gjithë juve që derdhet mundin e djersën për lirinë e Kosovës!
MA: Nexhat Shahini
(Magjistër i Historisë)
Veteran i Luftës së UÇK-së