Uji i cili prodhohet nga kompani të ndryshme në Kosovë, është i pijshëm dhe i sigurt. Kompanitë e intervistuara nga RTK, tregojnë se përveç analizave të bëra për çdo muaj në laboratorët e tyre brenda kompanive, ata mostrat i dërgojnë edhe në vendet evropiane për ta kontrolluar cilësinë e ujit.
Drejtuesit e Kompanisë “Dea” dhe “Sharri”, që janë ndër disa kompani që merren me këtë veprimtari në Kosovë, deklarojnë se kontrollimin e cilësisë e bëjnë në radhë të parë për bizneset e tyre që të jenë të besueshme ndaj konsumatorëve.
Madje pronari i kompanisë së ujit “Dea”, Alban Shala, shprehet se është njëra ndër kompanitë e vetme në Kosovë që produktet e tyre të ujit janë të aprovuara nga ushtria amerikane dhe institucionet ndërkombëtare për konsumim dhe furnizim të të gjitha institucioneve ndërkombëtare që operojnë në Kosovë.
Menaxheri i kompanisë së ujit “Sharri”, Mujë Makolli, tregon se përveç kontrolleve që u bëhet ujit të cilin ata e prodhojnë dhe paketojnë, ka një cilësi të lartë pasi merret nga lartësitë e Maleve të Sharrit.
Drejtuesit e të dyja kompanive të ujit të prodhuar në Kosovë shprehen se janë të pajisur me ISO – Standarde për mbushjen, fabrikimin dhe ambalazhimin e ujit për prodhim.