Çuditem se pse disa politikanë, ose pretendues për t’u marrë me politikë, nuk pajtohen me faktin se kushti për të fituar besimin elektoral është kushti më i rëndësishëm në politikë.
Besimin elektoral, si strukturë politike e organizuar, e fiton vetëm atëherë kur brenda strukturës janë vlerat që i kërkon elektorati. Në asnjë mënyrë tjetër.
Janë disa aktivistë nëpër partitë politike, dmth edhe në Partinë Demokratike të Kosovës, që janë pjesë e strukturave udhëheqëse të saj, por që janë shumë refuzues dhe janë shumë të papranueshëm për publikun.
Dhe këtë gjë e dinë të gjithë!
E dinë edhe ata vetë!
Fakti se ata e duan sinqerisht, ose për ndonjë interes të caktuar partinë, në këtë rast Partinë Demokratike të Kosovës, nuk është kusht i mjaftueshëm që këta njerëz të jenë në krye të saj.
Meritokracia individuale brenda partisë politike nuk matet me kohën e qëndrimit në atë parti.
Ajo duhet të matet me vlerat që ia shton asaj partie.
Meritokracia duhet të matet me vetë vlerat e atyre që e përfaqësojnë atë parti.
Dhe fatmirësisht, nëpër partitë politike, e më së shumti në Partinë Demokratike, ka njerëz të edukuar dhe që janë me vlera kombëtare, intelektuale, profesionale, familjare e shoqërore e që janë të pranueshëm nga publiku.
Si në çdo parti, edhe në PDK, ata shihen më pak sepse janë më pak të imponueshëm. Dhe kjo është vlerë e tyre që duhet vlerësuar.
Identifikimi i qëllimshëm i partisë, në këtë rast i Partisë Demokratike të Kosovës, me njerëz të padëshirueshëm për publikun është po aq i dëmshëm sa të ngritesh i tëri kundër suksesit të vetë partisë.
Lulzim Aliu