26,11,2024

Ekspozitë jubilare e ‘Zef Kolombit’

Must Read

Si vizitori më i vjetër në ekspozitë shfaqet piktori Sheqer Shllaku, me mbi 80 vite jetë mbi supet e rënduara, i cili lëvizë me vështirësi edhe shkaku i emocioneve që e kanë kapluar, ndërsa vetë është njëri nga themeluesit e shoqatës së piktorëve “Zef Kolombi”, e cila dje në galerinë e arteve të qytetit të Ferizajt, nëpërmjet një ekspozite, shënoi 50 vjetorin e themelimit. Sheki, për këtë ngjarje të madhe të artit figurativ në komunën e Ferizajt, me veti kishte sjell edhe katalogun e parë të ekspozitës së përbashkët të shoqatës së artistëve figurativ “Zef  Kolombi”, e cila ishte mbajtur menjëherë pas themelimit të shoqatës, përkatësisht në vitin 1972.

Sheki, ndërsa dorëzoi këtë katalog të ekspozitës së parë të artistëve të kësaj ane, me shpresë se ai do të ruhet si një artefakt me rëndësi të veçantë, kujtoi ditët kur ekspozita e tyre kolektive kishte udhëtuar nëpër qendra të ndryshme të Kosovës si edhe nëpër qendra të ndryshme të ish Jugosllvisë. Ekspozita e artistëve ferizajas kishte shëtitur nëpër qendrat si Gjilani, Gjakova, Prishtina, Kumanova, Shkupi, Sarajeva, Beogradi e Zagrebi.

Sheki, për gazetën “Zëri” kujton ditën e hapjes së ekspozitës në Beograd, ku kishin shkuar me frikë, por njëkohësisht thotë se atë kohë ndjehej krenar që ishte pjesë e një grupi artistësh nga Ferizaj që punimet e tyre po i shfaqnin nëpër qendrat më të mëdha të ish Jugosllavisë. Siç shihet edhe nga katalogu, ekspozita e parë kolektive e shoqatës “Zef Kolombi”, përbëhej nga artistë me përgatitje të lartë shkollore dhe me emra që kanë lënë gjurmë në artin figurativ. Mbase për punimet e njërit nga ta, përkatësisht për punimet e Musa Mehmetit, shprehet në superlativ edhe piktori më i madh shqiptar, Ibrahim Kodra, i cili për pikturat e Mehmetit shkruan në vitin e largët 1970.

Nga themeluesit e shoqatës “Zef Kolombi” i pranishëm është edhe piktori Habib Musliu, tani 72 vjeçar. Po edhe pse kanë kaluar kaq shumë vite, Musliut i kujtohet mirë koha kur themeluan shoqatën dhe organizuan ekspozitën e parë. Për këtë kohë flet me emocione dhe vlerëson se ishte një ngjarje e madhe jo vetëm për kulturën në Ferizaj, por në përgjithësi për vendin tonë.

Tani pas kaq vjetësh, përkrah artistëve që themeluan shoqatën, gjendet edhe piktori më i ri, përkatësisht grafisti, Behar Devça, student i vitit të parë në akademinë e arteve në Prishtinë. Ai qëndron para grafikës së tij i entuziazmuar nga fakti që ka pasur fatin të jetë një nga autorët pjesëmarrës në këtë ekspozitë kolektive, të organizuar në kuadër të një jubileu kaq të madh. “Po ndjehem shumë i nderuar dhe shumë i kënaqur që jam këtu me gjithë këta artistë të moshave të ndryshme”, shprehet Devça, teksa qëndron pranë grafikës së tij, ku duket një plak me një shikim të turbullt dhe përplot rrudha në fytyrë.

Edhe piktorja tashmë e afirmuar, Laura Siner Brahimi duket e kënaqur me pjesëmarrje në këtë ekspozitë. Ajo shprehet kështu për gaztën “Zëri”: “Ky jubile është i veçantë, sepse na ka bërë bashkë të gjitha gjeneratat. Këtu janë të pranishëm edhe themeluesit e shoqatës “Zef Kolombi”, edhe ne anëtarët më të rinj që po provojmë t’i ruajmë dhe kultivojmë vlerat e artit figurativ” Ajo pastaj ka shprehur një kënaqësi edhe për motivet, stilet dhe vlerat e prezantuara në këtë ekspozitë, në ballë të së cilës qëndron piktura e dëshmorit Gursel Sylejmani, e cila brenda kornizës shpreh kuptimin e burgut, luftës dhe lirisë. Kjo pikturë e mrekullueshme e piktorit Sylejmani, ka edhe historinë e vet, ndërsa ka arritur të shpëtojë nga minimi i shtëpisë së veprimtarit Hyzri Varoshi, nga forcat serbe, ku edhe qëndronte gjatë kohës së luftës dhe bombardimeve të NATO-s në Kosovë.

Vajza e piktorit dëshmor, Pranvera Sylejmani, njëherazi kryetare e shoqatës “Zef Kolombi”, e cila edhe është më e merituara për organizimin e kësaj ekspozite në kuadër të këtij jubileu kaq të rëndësishëm, ka thënë: “Ne si shoqatë e artistëve figurativë po përpiqemi që ta avancojmë punën dhe aktivitetin e shoqatës. Tash me galerinë që kemi po kemi mundësi më të mira që t’u mundësojmë të gjithë krijuesve të artit figurativ që në mënyra të ndryshme të ekspozojnë punën e tyre dhe të shfaqin talentin që kanë”

Kryetarja e shoqatës flet pastaj për planet që ka, ndërsa ka shumë dëshirë që me ndihmën e kësaj shoqate t’u mundësoi edhe autorëve të ndryshëm nga vendi dhe rajoni që të ekspozojnë këtu në këtë galeri, e cila ka bërë që të rritet dukshëm interesimi i dashamirëve të pikturës.

Në ekspozitë ishte edhe kryetari i komunës, Muharrem Sfarça, i cili edhe bëri hapjen e kësaj ekspozite jubilare. Ai duke kujtuar të kaluarën e suksesshme të kësaj shoqate dhe duke qenë i kënaqur me aktivitet në vazhdim, ndër të tjera tha: “Duke shijuar vlerat e kulturës edhe politikanët

pastaj reflektojnë kulturë më shumë”.

Duhet theksuar se më këtë rast u shpërndanë edhe mirënjohje për krijuesit që u dalluan me aktivitetin e tyre në kuadër të kësaj shoqate, por nuk munguan mirënjohjet as për krijuesit që nuk janë më, por që veprat e tyre kanë mbetur një pasuri e madhe për shoqatën dhe për galerinë në Ferizaj. Sigurisht që kjo ekspozitë e organizuar në shenjë të një jubileu të madh ka merituar të jetë më mirë e organizuar dhe me një pjesëmarrje më kualitative, por është bërë vështirë që ngjarjet kulturore të kalojnë pa improvizime dhe pa ndërhyrjen e atyre që vlerat e tyre i shtyjnë me zor./Zëri/

- Advertisement -spot_img
Të fundit

30 gra udhëheqëse të agrobizneseve përfitojnë 300 mijë euro grante

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Burim Bajrami mori pjesë sot në tryezën tematike "Mundësitë e grave në sektorin bujqësor,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img