Ahmetaj ka thënë se këto qendra do të mundësojnë që të rinjtë tanë të aftësohen dhe specializohen në profesione të ndryshme dhe do të kenë mundësinë e punësimit në Kosovë, njëherit të jenë konkurrent të barabartë me qytetarët e vendeve të Bashkimit Evropian. Ajo gjithashtu ka thënë se aftësimi dhe arsimi i rinisë së Kosovës përmes qendrave si kjo do t’i mundësojë vendit shfrytëzimin e përfitimeve që ofron MSA, duke integruar dhe bërë konkurrues tregun e punës së Republikës së Kosovës dhe se mundëson krijimin e standardeve dhe cilësisë së nivelit të BE-së, transmeton lajmi.net.
“Gjatë vizitës, ministrja Ahmetaj përcolli nga afër punën dhe aktivitetet e specializuara të studentëve në kuadër të qendrës si, Audiometristët, Asistentët e Kujdesit Social dhe Shëndetësor, Teknikët Dentar, Asistentët e Fizioterapisë dhe profile tjera specifike të kësaj qendre, ku vuri në pah se këto institucione të arsimit dhe aftësimit profesional qëllim të tyre kanë ofrimin e programeve arsimore dhe aftësim profesional për të përgatitur kuadro profesional konform kërkesave të tregut të punës”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Integrimeve.
Më tej në këtë njoftim thuhet se çdo qendër e kompetencës ofron aftësimin në profile të ndryshme profesionale brenda një fushe të aktivitetit të përcaktuar.
“Shteti i Luksemburgut ndërtoi 2 qendra të kompetencës, atë në Ferizaj me profile te mjekësisë, dhe në Prizren me profile të ekonomisë, tregtisë, udhëtimit dhe turizmit. Investimi i Luksemburgut për këto dy qendra është 10 milion euro, me ç’rast ministrja Ahmetaj falënderoi shefen e zyrës, Anne Doster dhe shprehu përkushtimin e saj për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunim e deritanishëm edhe në sfera të tjera”, përfundon komunikata. /Lajmi.net/