
Këta të fundit do të hospitalizohen në njësi koronare, do të dërgohen në një klinikë tjetër për trajtim dhe prapë do të kthehen në Njësi Koronare. Ndërkohë që, siç bëjnë të ditur mjekët përmes një peticioni, ku shprehin shqetësimin e tyre, bëhet fjalë për pacient me sëmundje akute koronare, me një rrezikshmëri të lartë për vdekje.
Personeli mjekësor i Klinikës së Kardiologjisë thonë se për ndarjen e tillë asnjëherë nuk është diskutuar në kolegjiumin e kësaj klinike, shkruan GazetaExpress.
Madje për këtë çështje, ky personel mjekësor e ka nënshkruar edhe një peticion të cilin e kanë nisur në drejtim të Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, Ministrisë së Shëndetësisë, Drejtori të SHSKU-së, e Avokatit të Popullit.
Gazeta Express e ka siguruar këtë peticion i cili përmban nënshkrimet e të gjithë personelit, të cilët fuqishëm kundërshtojnë këtë vendim, pasi i njëjti sipas tyre është i pakuptimtë dhe i krijuar në rrethana të panjohura për ta.
“Na lejoni që në konsideratën më të lartë t’i drejtohemi institucioni tuaj, për të shprehur shqetësimin tonë të madh, si profesionistë shëndetësor dhe si Kolegjium i Klinikës së Kardiologjisë, në lidhje me ndarjen (copëtimin) tinzar të Klinikës së Kardiologjisë, përkatësisht ndarjen e kabinetit të Kardiologjisë Invazive nga Klinika e Kardiologjisë, në rrethana, kërkesë dhe vendim sa të panjohur, po aq të pakuptimtë për ne”, thuhet në peticionin e personelit mjekësor.
Sipas tyre askund në botë, Kardiologjia Invazive nuk i takon shërbimit të Kardiokirurgjisë.
Njëri nga nënshkruesit e këtij peticioni, i cili deshi të mbetet anonim, tha për Express se kjo ndarje (aneksim) i pjesës me vitale të klinikës, është bërë si fazë përgatitore për ta shitur (koncesionuar), sepse kjo siç shprehet ai, është njësi që gjeneron para.
Në kundërshtimin e tyre për këtë aneksim, mjekët e kësaj klinike bëjnë të ditur se ky vendim vije pas një tendence të dështuar për këtë ndarje, në kohën kur është miratuar statuti i fundit i SHSKUK/QKUK në vitin 2014 e cila sipas tyre është hedhur poshtë pas një vendimi unanim të personelit mjekësor të bërë asokohe, përmes së cilës Ministria e Shëndetësisë e kishte revokuar ndarjen e klinikës së paraparë me atë statut.
Megjithatë, pavarësisht atij vendimi atëkohë, personeli mjekësor thekson se një situatë e tillë tashmë është riaktualizuar dhe po tenton të jetësohet në mënyrë jotransparente dhe të pakuptimtë.