Si zakonisht, protestuesit u tubuan para godinës së Qeverisë së Maqedonisë për të vazhduar përmes Zyrës Popullore të Presidentit Gjorgje Ivanov, në shenjë mbështetje, pasi që refuzoi të mandatojë kreun e LSDM-së duke u arsyetuar se ky i fundit negocion për platforma të vendeve të huaja.
Protesta përfundoi në mënyrë paqësore para Kuvendit të Maqedonisë, ku dhe organizatorët apeluan që presidenti Ivanov të mos e tërheq vendimin e tij, sepse sipas tyre platforma shqiptare dëmton karakterin unitar, sovranitetin dhe pavarësinë e Maqedonisë. Ndryshe nga herët tjera, sonte në protesta morën pjesë edhe disa fermerë të cilët me makineritë e tyre udhëhiqnin marshimin.
Ata poashtu kërkojnë refuzimin e Ligjit të dygjuhësisë në tërë territorin e Maqedonisë, sepse sipas tyre, përdorimi i gjuhës shqipe në mbarë territorin do të çojë vendin drejt ridefinimit. Siç thonë organizatorët, Maqedonia duhet të angazhohet në përgatitjen e një platforme të re dhe të mos pranohet platforma shqiptare.
Kujtojmë se lideri i Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, sot në selinë e partisë prezantoi programin që e ka cilësuar si “të qeverisë së re të Maqedonisë”, program i cili sipas tij, është thelbi për nevojat e qytetarëve dhe do të kontribuojë që Maqedonia të ecë përpara. Zaev deklaroi se do të paraqesë projekt-ligj të ri mbi përdorimin e gjuhëve, por në bazë të Kushtetutës dhe që do të jetë i pranueshëm nga partitë politike me të cilat është siguruar shumica parlamentare, përkatësisht 67 deputetë.