Sulmuesi i dyshuar në Dusseldorf policia tregon se ka shkuar në Gjermani në vitin 2009. Në një konferencë për media, kanë treguar zyrtarë të policisë së qytetit dhe të landit Nordhein Westfalen, se kosovari është me banim në Wuppertal të Gjermanisë.
Në konferencë u tha se gjatë bastisjes së vendit ku jeton kosovari që dyshohet se ka kryer sulmin në stacionin e trenit në Dusseldorf, janë gjetur medikamente për skizofreni dhe paranojë.
“Sipas të gjitha gjasave fjala është për një sulmues të vetëm, një person i hutuar, të cilit i janë gjetur medikamente për skizofreni dhe paranojë”, u tha gjatë konferencës nga përfaqësuesi i policisë së landit Nordhein Westfalen, transmeton Gazeta Express.
Gjithashtu u tha se autori i dyshuar i sulmit, momentalisht gjendet në sallën e operacionit pasi në largim e sipër nga vendi i ngjarjes ka kërcyer nga një urë në qytet dhe ka thyer disa eshtra.
Ndër 9 personat e plagosur, tre prej tyre kanë marrë lëndime në kokë, pasi janë sulmuar nga mbrapa. Policia tregon se një nga të lënduarit është 13-vjeçar dhe një 30-vjeçar.
“Të lënduar janë gjithsej 9 persona; katër gra dhe pesë burra”, thotë policia gjermane, duke shtuar se sulmuesi ka vepruar i vetëm.
“Ai ka tentuar të futet në një nga trenat, por fatmirësisht nuk ka arritur të futet në tren sepse atëherë ka pasur mundësi që të ketë shumë më tepër viktima”, thuhet në konferencë.
Përfaqësuesit policorë tregojnë se personat që kanë pasur lëndime më të rënda, ndonëse lëndimet janë shkaktuar në kokë, gjendja e tyre po përmirësohet.