Deri më tani, Shqipëria, si pjesë e këtij Koalicioni, ka ofruar mbështetje dhe ndihmë, kryesisht armë dhe municione për qeverinë irakiane. Ajo ka ofruar 22 milionë fishekë për kallashnikovë, 15 mijë granata dore mbrojtëse, 20 mijë copë municione për granatahedhëse antitank, dhe 32 mijë predha për mortaja të tipeve të ndryshme, raporton VOA.
Për herë të parë Shqipëria do të angazhohet në këtë Koalicion dhe me trupa ushtarake. Mendohet se në këtë mision do të dërgohet një togë e përbërë nga 30 ushtarakë.
Ministrja Kodheli tha se kanë qenë Shtetet e Bashkuara që kanë kërkuar një angazhim të tillë.
Ajo shpjegoi se menjëherë sapo të jetë marrë aprovimi nga qeveria e Irakut, ligji do të kalojë në Këshillin e ministrave për t’ju përcjellë më pas parlamentit, i cili duhet të japë në këtë rast lejen, duke qenë se nuk bëhet fjalë për një mision të organizuar nga NATO.