Me gjithë vështirësitë në shtrirjen e sundimit të rendit dhe ligjit në gjithë territorin e saj dhe izolimin për mungesë të liberalizimit të vizave, Kosova, vazhdon ta synojë vendin e saj në familjen e shteteve europiane.
Analistët politikë konsiderojnë se ndër sfidat më të mëdha mbeten; sundimi i ligjit, integrimi në Bashkimin Europian, përmirësimi i imazhit, zhvillimi ekonomik dhe luftimi i krimit dhe korrupsionit.
Analisti Artan Muhaxhiri thotë se Kosova për ketë periudhë kohore, sa është e pavarur, ka arritur që ta krijojë një sistem institucional, por në përmbajtjen e saj ka ende shumë zbrazëtira.
“Mund të jemi të kënaqur me arritjet që janë bërë deri tash, por ka dallime të mëdha në mënyrën se si funksionalizohet ky sistem. Ka pasur shumë deformime në pikat kryesore të ministrive të institucioneve të pavarura, sepse njerëzit që kanë qenë aty nga fillimi, nuk kanë qenë në shumicën e rasteve ata më meritorët dhe gradualisht është krijuar një masë kritike e personave që kanë qenë shumë të afërt me partitë politike”, tha Muhaxhiri.
“Partizimi i institucioneve publike është një ndër të këqijat më të mëdha të sistemit institucional në Kosovë dhe kjo ka pasur pasoja të mëdha në mënyrën e përgjithshme të funksionimit të shtetit”.
Kosova ende po përballet me sfidat e shtrirjes së sovranitetit në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe, ku ndikimi i Serbisë mbetet ende i fuqishëm.
Muhaxhiri mendon se Kosova dhe institucionet e saj, nuk kanë shfrytëzuar sa duhet kapacitetet e veta dhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar për përmirësimin e shumë çështjeve.
“Kemi pasur një përkrahje të madhe nga faktori ndërkombëtar dhe nuk kemi ditur që ta shfrytëzojmë atë maksimalisht. Ka ngecje të mëdha, posaçërisht në sistemin e drejtësisë që është zemra e gjithë sistemit institucional ku pa shërimin e tij, nuk mund të ketë ndonjë përparim të madh”.