Ai i është përgjigjur Marko Gjuriqit, shefit të ashtuquajturës Zyrës së Qeverisë serbe për Kosovën, pas një takimi që ka pasur me ambasadorin kinez në Beograd, që e kanë konsideruar themelimin e Ushtrisë së Kosovës si të rrezikshme, shkruan lajmi.net.
Gecaj ka thënë se Ushtria e Kosovës do të ketë mision mbrojtjen e të gjithë qytetarëve, që sipas tij, nuk ka nevojë askush të frikësohet.
Ky është postimi i plotë i Gecajt:
Marko Gjuriq ju paska ankuar ambasadorit Kinez se na qenka “e rrezikshme përpjekjen e Kosovës për ta formuar ushtrinë”.
Tanimë koha ka provuar se e vetmja ushtri e rrezikshme në rajon z. Gjuriq është ajo e Serbisë. Ushtria e Kosovës do t’i përkasë të gjithë qytetarëve të saj dhe, për dallim nga praktikat e së kaluarës e ushtrisë së Serbisë, do të ketë kryekëput karakter mbrojtës. Prandaj, askush nuk ka nevojë të frikohet nga një ushtri e tillë, ushtri e cila gjithsesi se do të themelohet, por që do të funksionoi sipas standardeve të pranuara ndërkombëtare, e të aplikuara nga shtetet mike e demokratike të NATO-s.