“Kishim takime me Gjorge Ivanovin në të cilën u informuam për tërë procesin për gjetje të një zgjidhjeje të çështjeve tona dhe si të arrijmë deri në shumicën parlamentare, sepse përgjegjësia e të gjithë ne është të gjejmë zgjidhje të pranueshme që të kemi institucione stabile dhe mëtej të menaxhojmë me shtetin”, deklaroi Ahmeti pas takimit me Ivanovin.
Të gjithë, shtoi ai, duhet të japim kontribut që të dalim nga kriza dhe të gjejmë zgjidhje të qëndrueshme. Së bashku, potencon Ahmeti, kemi përgjegjësi të japim kontribut drejt gjetjes së zgjidhjes së përmbajtur rreth të ardhmes së vendit tonë.
Theksoi se në takimin me Ivanovin është biseduar edhe për situatën politike në rajon dhe më gjerë.
“Situata nuk është aq e mirë që të mund të jetojmë komod dhe të mbesim në vend, por duhet bashkarisht të angazhohemi që t’i ndërtojmë institucionet dhe të marrim përgjegjësi dhe të përballemi në të ardhmen me çfarëdo krize, e cila mund të na ndodhë edhe në rajon dhe më gjerë”, tha Ahmeti.
I pyetur si do të sillet BDI këto ditë sepse te ata është çelësi për shumicën parlamentare, Ahmeti theksoi se te BDI ka qenë çelësi, por tashmë atë e ka transferuar te presidenti Ivanov.
“Ku Ivanovi do ta dërgojë çelësin është te vet ai. Unë e kisha bombën të them simbolikisht dhe e hodha te presidenti. Tani nuk e di ku do ta hedhë ai”, theksoi Ahmeti.
I pyetur nëse do të tentojë të negociojë me liderin e LSDM-së, Zoran Zaev për formimin e shumicës së re parlamentare, Ahmeti tha se BDI edhe paraprakisht katër ditë ka mbajtur mbledhje dhe i ka shqyrtuar të gjitha obsionet.
“Biseduam për të gjitha obsionet, biseduam në tryezë dhe të gjitha argumentet ende nuk janë përdorur, harxhuar. Prej nesër edhe në ditët në vijim ne do të vazhdojmë me konsultimet në parti dhe do të vazhdojmë me analizimin dhe shqyrtimin e të gjitha obsioneve. Por, do të doja të them se kemi vullnet të fuqishëm për gjetjen e zgjidhjes në mënyrë që t’i kthejmë gjërat në vendin e vet në inters të stabilitetit dhe përforcimit të shtetit. Para interesave tona partiake i vendosim interesat e qytetarëve dhe të shtetit”, potencon Ahmeti.
I pyetur nëse për ta është e pranueshme kërkesa e komunitetit ndërkombëtar për krijimin e një koalicioni të gjerë në Maqedoni, lideri i BDI-së tha se të gjitha obsionet janë të hapura.
Në pyetjen nëse ndërkaq me takimin e sotëm tek Ivanovi e ka ndërruar qëndrimin se presidenti i RM-së është jolegjitim dhe se nuk e pranojnë sepse nuk është zgjedhur në mënyrë konsensuale, theksoi se sot ka punuar me kokë, e jo me zemër.
Si pjesë të konsultimeve me partitë politike për gjendjen aktuale politike në Maqedoni dhe formimin e qeverisë së re në takim tek presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov pas Ahmetit është lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
Ivanov paraprakisht pati takime të veçanta me kryesinë e Besës dhe të Aleancës për shqiptarët. Liderët e Besës dhe të Aleancës për shqiptarët, Bilall Kasami dhe Ziadin Sela, pas bisedave me Ivanovin nuk dhanë deklaratë për mediumet.
Në vilën presidenciale “Vodno” sot pasdite presidenti duhet të ketë takim edhe me liderin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
Në konsultime me presidentin Ivanov, siç informojnë nga kabineti i tij, janë ftuar edhe përfaqësuesit e PDSH-së.