Tentimi që treni i nisur nga Beogradi me mbishkrimet “Kosova është Serbi”, të hyjë në Kosovë, ka kaluar të gjitha kufijtë e “normalitetit” të provokimeve të deritashme nga ana e Serbisë. Ky rast, nga ekspertët e sigurisë në vend, po shihet si “luftënxitëse”, dhe që ka cenuar situatën e sigurisë në Kosovë. Madje, sipas tyre, në pikëpyetje është edhe vetë stabiliteti rajonal.
Megjithatë, sipas Policisë së Kosovës, nuk ka vend për shqetësime në nivel shtetëror për gjendjen e sigurisë. Ata vlerësojnë se situata është e qetë dhe e “brishtë” në pjesën veriore të Mitrovicës. Për këtë arsye edhe kanë ngritur në dispozicion të gjitha kapacitetet që kanë. E presidenti serb, Tomislav Nikoliç, dje ka mbledhur edhe Këshillin e Sigurisë Nacionale, pas së cilës ka thënë se Serbia është e gatshme të nisë edhe ushtrinë në Kosovë, nëse rrezikohen jetët e serbëve.
E rreth krejt kësaj situate reaguesi i tretë për sigurinë në vend, KFOR-i, u kanë bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të angazhohen në dialog, duke shtuar se ata do të jenë të gatshëm për çfarëdo lloj situate që paraqitet në terren. /Zëri