Java e Tetë-Liga Institucionale-Ferizaj
Këtë fundjavë u zhvilluan ndeshjet e xhiros së tetë të Ligës Institucionale në të cilën u tregua futboll i bukur, atraktiv dhe lojëra të mira e “Fairplay“.
Fundjava u hap me ndeshjen Policia dhe Spitali dy ekipet favorite për trofeun e më të mirit të Ligës Institucionale.
Fitore shënoi ekipi i Policisë me rezultat 7:4. Ekipi i Policisë është i vetmi i cili në këtë vit nuk ka pësuar humbje me 6 fitore dhe dy barazime. Me lojë të mire dhe lojtari i ndeshjes ishte Arian Obrazhda me 5 gola të shënuara.
Ndeshje e tjetër ishte ajo mes KBI-së dhe KK Ferizaj. Fitore arriti skuadra e KK Ferizaj me rezultat 7:4. Bejtullah Qerkini më në fund ka komponuar skuadër konkurruese me përforcimet e bëra në këtë afat kalimtar. Pa dyshim befasia e këtij kampionati është rangimi i KK Ferizaj. Skuadra me individë të dalluar, KBI, në dy ndeshjet e fundit ka humbur hapin për tu plasuar në play off.
Posta-Vala dhe Sh.F.M.U “Dituria” Dardani luajtën ndeshjen tjetër. Skuadra e Posta-Vala shënoi fitore të lehte me rezultat 8:2. Përparim Mulaku spikati në këtë ndeshje me 4 gola të shënuar për të tentuar finalet e play off it. Dituria nuk ishte ne nivelin e dëshiruar për të bërë befasinë tjetër.
“Gjon Sereçi” i Milazim Dërgutit humbi ndeshjen, të cilën mendonin ta fitonin dhe t’ia dedikonin atij në këto qaste pas operimit. Por Driton Ramadani kishte përgatitur taktikë e cila dha rezultat edhe pse i ngushtë. Rezultati ishte 3-2 në të mirë të Mediave. Individi me i dalluar ishte Arlind Xhemajli, i cili përveç paraqitjes se mire shënoi edhe një supergol.
Gjykata dhe ATK luajtën ndeshje të çmendur dhe sa njëra sa tjetra kalonin në epërsi. Nuk dihej se cili ekip do të triumfonte. Me hetrik në këtë ndeshje Shkelzen Polloviqi tregoi pse vitin e kaluar është zgjedhur PIÇIÇI i kampionatit. Në anën tjetër as forma e lartë e Arbër Behlulit nuk ndihmoi për të fituar. Rezultati 4-3 në të mire të Gjykatës.
“Imri Halili” dhe KRK zhvilluan ndeshje të bukur dhe atraktive. Skuadra simpatike e KRK-së këtë sezon ka treguar dhëmbët dhe ka qenë arrë e fortë për çdo kundërshtar. Fatlum Hajrullahu po tregon çdo ditë se nuk ka qenë e rastësishme zgjedhja e tij si lojtar më i mire i Kampionatit të vitit te kaluar. Ai po e mban shkollën “Imri Halili” në pjesën e epërme me karizmin e tij. Rezultati 8:6.
FSK-Zjarrfikësit 6-3. Besim Nuha me skuadrën e tij të udhëhequr nga ylli i skuadrës Shefqet Ademi e dominuan ndeshjen ndaj Zjarrfikësve. Mungesa e yllit të skuadrës Irfan Berisha (Panuçi) po ka pasojat e saj. Skuadrës së Zjarrfikësve i mbetet në sezonet tjera të punojë më shumë kurse FSK-ja do të tentoi mbrojtjen e titullit të fituar vitin e kaluar. Besim Nuha po tregohet strateg i vërtetë dhe atij i mbetet të punojë më shumë në aspektet tjera me futbollist sidomos në disiplinimin e tyre, sepse sezonën e kaluar ishin shpallur skuadra më Fair Play. Besim Sadriu duhet të punoj me zjarrfikës më shumë për të komponuar ekip më solid.
Dogana dhe KEDS zhvilluan ndeshje të bukur dhe atraktive. Ekipi i KEDS-it i konsoliduar pak me vonesë po tregon dhëmbët në lojërat e fundit me rezultate pozitive. Ata fituan me rezultatet 6-3 ndaj ekipit te Agron Sadikut dhe Faton Pira. Në anën tjetër Sami Paloja si trajner po tregon cilësitë e veta në çdo ndeshje duke komponuar skuadër të mirë. KEDS po ka disiplinë në lojë, veçori qe çdo skuadër ta ketë lakmi. Qëndrim Guri shënoi dy gola për të treguar se është përforcimi më i qëlluar i ekipit.
OVL-UÇK-së dhe “Pjetër Bogdani” zhvilluan ndeshjen e radhës. Ekipi i “Pjetër Bogdani” u mundua ti bëjë ballë ekipit të OVL-UÇK-së por vetëm në pjesën e parë. Bekim Halili edhe këtë here shënoi hetrik për të treguar se para portës mbetet një mjeshtër. Ekipit “Pjetër Bogdani” i mbetet konsolidim në sezonet tjera sepse ka ekip cilësor. Rinor Asllani në çdo ndeshje që luan nuk lenë pa shënuar gola.