Jashari në një intervistë për KosovaPress është shprehur optimist që pensionet e Fondit Pensional do t’iu kthehen pensionisteve të Kosovës.
E gjithë bindja e tij bazohet në përgjigjen e fundit që ka marrë nga Komuniteti i Ministrave, si dhe besimit ndaj aktgjykimit që ka nxjerrë Gjykata Evropiane e Strasburgut.
Jashari madje tha se nuk ka ndonjë arsyeje që Komuniteti i Ministrave të vonojë qëndrimin e tij rreth ekzekutimit të rastit Guriq, i cili është duke u trajtuar.
“Ne i besojmë tash përgjigjes së fundit që kemi marrë nga Komuniteti i Ministrave, i besojmë aktgjykimit që ka nxjerrë Gjykata Evropiane e Strasburgut, i besojmë praktikës së deri tanishme të Komunitetit të Ministrave sepse nuk ka asnjë rast pothuajse nga Gjykata Evropiane e Strasburgut e cila nuk janë ekzekutuar. Përfundimisht ka pasur raste kur kanë mundur me u zvarrit, mirëpo, definitivisht ato janë ekzekutuar dhe ne po besojmë që me këtë rastin e fundit që pritet tash së voni të vendoset në Strasburg, bashkërisht të trajtohet me rastin Guriq dhe që të filloj kompensimi dhe nuk ka më ndonjë arsyeje që Komunitetit i Ministrave me vonu qëndrimin e vetë rreth ekzekutimit të këtij rasti”, ka theksuar Jashari.
Por se a dihet koha e saktë apo përafrimi i kohës se kur pensionistët do të gëzojnë të drejtën e tyre, ai tha se shkresa nuk përmban afat sepse varet prej Gjykatës.
Aktgjykimi i Gjykatës Evropiane në Strasburg, lidhur me çështje e Fondit Pensional të Serbisë dhe pagesat e këtij fondi ndaj qytetarëve të Kosovës, hyri në fuqi në vitin 2013, ku nga ky vit shteti i Serbisë ka tentuar që të bëjë presion mbi Komunitetin e Ministrave.
Jashari tha se në vitin 2015-të, Komunitetit të Ministrave i kishte dërguar një opinion përmes të cilit kishte shprehur shqetësimin lidhur me shpjegimet që ka dhënë gjatë gjithë kohës Serbia, të cilin e kishte pranuar Komuniteti i Ministrave.
Jashari më pas tregoi që Komuniteti i Ministrave është duke e trajtuar një rast ku pritet që përfundimisht të nxirret aktgjykimi nga Gjykata Evropiane e Strasburgut, rast ky nga Kosova.Kthimi i Fondit Pensional pritet ta gëzojnë të gjithë ata që kanë gëzuar këtë të drejtë paraluftës, e drejtë e cila iu ndërpre pasluftës si pasojë e një qëndrimi të një anshëm të Serbisë.