Në takim me Avramopolous, i cili është njëri prej mbështetësve kryesor të Kosovës në BE për heqjen e vizave, Hoxhaj e ka njoftuar me zhvillimet e brendshme dhe zotimin e Qeverisë së Kosovës për ti përmbushur obligimet e saj, thuhet në njoftim të MPJ-së.
Njëherësh, ministri Hoxhaj ka kërkuar edhe vendim pozitiv në javët që vijnë sapo të përmbushen këto kritere.
“Në takimin që kisha me Komisionerin Avramopolous dhe me shumë deputetë të tjerë të Parlamentit Evropian, kemi marrë një zotim të madhë dhe të plotë se qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza drejt Evropës në momentin kur i plotësojmë kriteret e fundit që kanë mbetur pa u plotësuar” ka thënë Hoxhaj.
Nga ana e tij, Avramopolous ka deklaruar se beson që kilometri i fundit drejt Evropës pa viza nuk do të zgjasë edhe shumë.
“Jam shumë i lumtur që e takoj sërish një mik të vjetër dhe të mirë, Enver Hoxhaj, ministrin e punëve të Jashtme të Kosovës. Ne zhvilluam një diskutim shumë të mirë, si gjithnjë. Edhe njëherë ritheksuam vullnetin tonë për të lëvizur përpara. E dini që në këto muajt e fundit, së bashku, Qeveria e Kosovës dhe Komisioni kanë punuar për ti tejkaluar pengesat e fundit që nuk janë arritur ende në mënyrë që të arrijmë atë moment ku qytetarët e Kosovës ti gëzojnë të drejtat dhe ti gjejnë dyert e hapura për të lëvizur pa viza në Evropë. Ashtu siç e kam theksuar gjatë vizitës sime të fundit në Prishtinë, ne jemi në kilometrin e fundit. Ju siguroj që ky kilometër nuk do të zgjasë edhe më”, ka thënë Avramopolous pas takimit me Hoxhajn.
Në margjina të punimeve vjeshtore të Parlamentit Evropian në Strasburg, Hoxhaj ka takuar ndaras edhe eurodeputeten, Ulrike Lunacek, raportuesin në hije për Kosovën nga grupi S&D, Antonio Panzeri, udhëheqësin e Delegacionit për Kosovë dhe BeH, Tonino Picula, Kryetarin e grupit S&D, Gianni Pittella së bashku me Tanja Fajon, raportuesin për Kosovën, David McAllister dhe bashkëudhëheqësin e Komitetit për Politikë të Jashtme të PE, Elmar Brok.
Në këto takime, ministri Hoxhaj i ka njoftuar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, raportin mes Kosovës dhe BE-së, si dhe për dialogun Kosovë Serbi. Po ashtu, ka kërkuar mbështetje për procesin e liberalizimit të vizave.
Në ditën e parë të vizitës në Bruksel, Hoxhaj ka takuar Komisionierin Hahn, Shefen për Politikë të Jashtme, Mogherini dhe takime në NATO.