Jerry X. Mitrovica është pjesë e Universitetit të Harvardit në vitin 2009 si profesor i Gjeofizikës. Puna e tij fokusohet kryesisht në përgjigjen e Tokës ndaj forcave të jashtme dhe të brendshme në distancë kohore nga disa sekonda deri në miliarda vjet.
Mitrovica ka shkruar gjerësisht mbi tema që lidhen me stabilitetin rrotullues të Tokës dhe planeteve të tjera, gjeodinamikës ndërsa me theks të veçantë ka shkruar lidhur me ndryshimet klimatike dhe ndryshimin e nivelit të detit, transmeton Klan Kosova.
Jerry X Mitrovica është i afërm i Dr. Xhelal Mitrovicës, një nga gazetarët më të njohur.
Dr. Xhelal Dervish Mitrovica ishte orator e poliglot që mahniste me dijet dhe kulturën, një ndër gazetarët më të njohur në kohën e vet.
Ka qenë sekretar i “Lidhjes Popullore Shqiptare” themeluar në gusht të vitit 1941 në Mitrovicë, nëpunës i përgjithshëm me shërbim në Prizren (korrik 1941), drejtor i Radio Prishtinës, pjesëmarrës në Lidhjen e Dytë të Prizrenit (shtator 1943), sekretar i Komitetit (KEP) i zgjedhur në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar më 6 tetor 1943, deputet i Mitrovicës në Parlamentin e Shqipërisë (18 korrik – 28 gusht 1944), njëri ndër gazetarët më të sprovuar e më të mirë të kohës, bashkëpunëtor në të përkohshmet “Kosova”, “Lidhja e Dytë e Prizrenit”, “Bashkimi i Kombit”, Koha e Jonë”, drejtues i gazetave “Vatra Shqiptare” dhe “Buletini i Lidhjes së Shqiptarëve në Australi” etj.
Ndryshe, nesër shënohet 100-vjetori i lindjes së atdhetarit dhe intelektualit, Xhelal Mitrovica.