22,12,2024

EULEX-i nuk përfshihet në aferën e përgjimeve

Must Read

Misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë i ka deklaruar Radios Evropa e Lirë se vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe në marrëveshje me kryeprokurorin e Kosovës, EULEX-i mund të marrë përsipër raste të reja të aferave korruptive ose të krimeve të tjera.

Një zëdhënëse e misionit të EULEX-it, Dragana Nikoliq Solomon, tha se në rastin e “përmbajtjes së bisedave të përgjuara në Ministrinë e Transportit”, të bëra në vitin 2011, “një prokuror ndërkombëtar do të përcaktojë nëse ekziston dyshimi i bazuar për inicimin e hetimit në lidhje me pretendimet e përfshira në përgjime”.

“Në lidhje me informatat që do të marrë prokurori ndërkombëtar, Kryeprokurori i Shtetit do të vendosë për hapat që do të ndërmarrë më tutje”, tha Nikoliq Solomon për Radion Evropa e Lirë dhe nënvizoi se megjithatë, “ky nuk është rast i EULEX-it”.

Një numër shkrimesh janë publikuar në mediet lokale të Kosovës, me përmbajtjen e bisedave të përgjuara të shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, në të cilat përfshihen edhe presidenti aktual Hashim Thaçi dhe kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli.

Përmbajtja e bisedave të përgjuara ka ngjallur një numë reagimesh në Kosovë, në veçanti të shoqërisë civile e të qytetarëve, që i kanë cilësuar ato si shpërdorim të detyrës dhe nepotizëm.

Një numër protestash janë zhvilluar në Prishtinë që prej fillimit të publikimit të përmbajtjes së bisedave të përgjuara dhe qytetarët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me të gjitha zhvillimet në vend.

“Iu kam bashkuar grupit të qytetarëve #Protestoj, për të shprehur pakënaqësinë që kemi kundrejt sistemit të korruptuar politik. Sot po e shpallim ashtu siç është dhe siç kanë dëshirë anëtarët e saj ta shohin, këtë organizatë ku ndodhet departamenti më i madh i korrupsionit në vend. Kjo është PDK, apo siç do ta njohim tash e tutje Pronto Departamenti i Korrupsionit”, thotë Edona Bajrami, qytetare.

Ndërkohë,një ekip i i prokurorëve tëZyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe Prokurorisë Speciale të Kosovës, do të verifikojë dhe analizojë përmbajtjen e transkripteve të telekomunikimeve të përgjuara në rastin e ish-Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit.

Zyra e kryeprokurorit të Kosovës, përmes postës elektronike, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka formuar ekipin e prokurorëve që do të merren me këtë çështje dhe se për punën e kësaj ekipe do të jetë i informuar opinioni.

Afera e përgjimeve në Kosovë ka marrë përmasa të gjëra dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e pranoi gjatë ditës së hënë se punësimi përmes lidhjeve familjare dhe atyre partiake është bërë, por kërkoi që të ndryshojë kjo praktikë.

“Çështja e nepotizmit dhe çështja e punësimit që bëhen shumë herë në baza jo meritore është një realitet që ka ndodhur në këto 16 vitet e fundit. Por, kjo nuk na ndal të ecim përpara. Unë i inkurajoj të gjithë djemtë dhe vajzat e reja, profesionistët, ata që mund t’i japin vendit më shumë, të konkurrojnë në çdo vend”, ka thënë Veseli.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’ Connell, ka thënë se nepotizmi, sikurse edhe fenomenet tjera negative, po e dëmtojnë Kosovën. Deklarimet e tij u bënë në lidhje me bisedat e përgjuara telefonike.

“Nepotizmi dhe punësimi në baza partiake dhe familjare nuk është diçka e re. Në kohën e fundit kemi dëgjuar bisedat telefonike të zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe ndikimin që ata zyrtarëkishin në punësimin e të afërmve të tyre. Punësimi për t’i bërë nderë dikujt apo për t’a kthyer borxhin ndaj dikujt është gabim. Shteti nuk funksionin ashtu, nepotizmi është kancer i cili mbyt shtetin”, ka thënë ai.

Kosova ka thënë ai “duhet t’i thyejë praktikat dhe kulturën e nepotizmit”. Sipas tij, nëse në Kosovë vazhdon kultura e nepotizmit, kjo do të paraqiste dështim për vendin.

“Tash askush nuk e beson që punësimet janë kryer në bazë të meritave dhe aftësive profesionale, prandaj ne duhet ta thyejmë këtë praktikë dhe duhet ta kthejmë besimin e qytetarëve tek institucionet”, ka shtuar ai.

Por, mosfillimi i hetimeve në rastin e përgjimeve telefonike, për shoqërinë civile duket i paarsyeshëm.

Arton Demhasaj, nga Organizata joqeveritare “Çohu”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se nuk ka arsye që kryeprokurori i shtetit të mos fillojë iniciativa për t’i hetuar individët të cilët, sipas tij, “kanë punësuar njerëz në baza partiake apo familjare për një kohë kaq të gjatë”.

“Këtu kemi të bëjmë më një sistem të krimbur të drejtësisë. Me siguri që ka prokurorë që janë ngritur në pozicione prej këtyre intervenimeve që janë bërë dhe kjo mund të jetë që ata nuk munden të ngritin aktakuza për këto përgjime”, thekson Demhasaj.

Ai ka bërë thirrje që individët që janë protagonistë të përgjimeve të japin dorëheqje nga funksionet publike.

“Ose dikush duhet t’i shkarkojë këta njerëz nga këto poste, dhe e dyta është përgjegjësia penale që prokuroi duhet të fillojë hetimet dhe të ngrit aktakuzë dhe këta individë të dërgohen në gjykata dhe të japin përgjegjësi penale për të gjitha këto të këqija që i kanë shkaktuar shoqërisë ndër vite”, tha Demhasaj.

Megjithëkëtë, hetimet nuk kanë nisur dhe ende mbetet të shihet nëse rasti i përgjimeve do të jetë rasti i vetëm më i madh i “skandaleve politike” në Kosovë dhe përpjekjes për kontroll të “shumë fushave të jetës në vend”./REL

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img