Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj sulmit të mbrëmshëm ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës, i cili, sipas raportimeve zyrtare të Policisë së Kosovës, mësohet të jetë sulmuar me një mjet shpërthyes nga distanca.
Mustafa tha se ky sulm është sulm ndaj pavarësisë së Kosovës pasi që Kuvendi, siç u shpreh ai, është organi më i lartë legjislativ, simbol i rregullimit tonë shtetëror dhe demokratik.
“Sulmi mbi ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, është atak ndaj pavarësisë sonë. Kuvendi është organi më i lartë legjislativ, simbol i rregullimit tonë shtetëror dhe demokratik. Askujt nuk i lejohet të terrorizojë institucionet e shtetit tonë”, ka thënë Mustafa në një postim në Facebook.
Ai ka ftuar organet e rendit që të punojnë në zbardhjen e këtij rasti të cilin kryeministri e cilësoi si “shumë të dëmshëm dhe tepër të shëmtuar” si dhe ka ftuar edhe qytetarët që ta japin ndihmesën e tyre.
“Kryerësit e kësaj vepre duhet të dalin para drejtësisë”, theksoi ai në fund.