20,11,2024

Pendohet gruaja që goditi burrin me thikë në gjumë, kërkon të rikthehet te ai

Must Read

Gjykata e Dibrës vendosi për 36­-vjeçaren Basha masën e sigurisë “burg pa afat” dhe “arrest shtëpie” për bashkëshortin e saj, Besnik Basha. Këto masa kërkoi para trupit gjykues edhe Prokuroria e Dibrës. Më 27 korrik të këtij viti, Rudina Basha qëlloi në gjumë gjashtë herë me thikë burrin e saj 45­ vjeçar, ndërsa shkak u dyshua xhelozia e bashkëshortes për gruan e dytë, me të cilën Besniku kishte edhe katër fëmijë të tjerë.

Besnik Basha i shpëtoi vdekjes, por pas kontrollit në banesën e tij, në fshatin Dragu, iu gjet një armë zjarri dhe u arrestua në kushtet e flagrancës, paçka se ishte në urgjencën e spitalit të Peshkopisë. 36­vjeçarja, nënë e gjashtë fëmijëve, i tha trupit gjykues se nuk mbante mend çfarë kishte bërë dhe shprehu pendesë për krimin e kryer.

“Nuk mbaj mend çfarë kam bërë. Nuk kam dashur ta vras burrin tim. Vërtet kishim halle dhe jeta në fshat ishte e vështirë, por ky nuk është shkaku i ngjarjes. Lus Zotin që burri im të jetë gjallë dhe të kujdeset për fëmijët. I kërkoj ndjesë dhe lutem të jemi përsëri bashkë. Pres vendimin e drejtësisë dhe sapo të mbaroj dënimin, do të rikthehem pranë burrit tim dhe fëmijëve. Asgjë nuk e kam bërë me paramendim. Pres masa lehtësuese. Dua të jem pranë gjashtë fëmijëve”, është shprehur Rudina Basha para Gjykatës Dibër.

Ajo nuk përmendi para gjykatës xhelozinë për gruan tjetër dhe mënyrën se si trajtoheshin nga i njëjti burrë, por kuptohet se ky ka qenë shkaku kryesor i ngjarjes së rëndë. Në fakt, ditën e arrestimit ajo deklaroi për grupin hetimor se e kishte kryer krimin pasi i ishte nxirë jeta dhe se i shoqi donte më shumë gruan tjetër sesa atë.

Sapo është dhënë masa, ajo është dërguar në burgun e grave Tiranë. Çështja në ngarkim të saj do të gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pasi Rudina Basha akuzohet për veprën penale të “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, mbetur në tentativë”. Pak orë pas vendimit për Rudinën, Gjykata e Dibrës ka shqyrtuar dosjen në ngarkim të bashkëshortit, Besnik Basha, i akuzuar për veprën penale të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.

Megjithëse i lënduar nga plagët që kishte marrë, 45­ vjeçari është transportuar me ambulancën e spitalit deri në mjediset e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër. Basha ka mohuar të ketë pasur debate, konflikte dhe mosmarrëveshje me gruan e tij të parë, Rudina Basha. Për armën ai është shprehur se e mbante në shtëpi për t’u mbrojtur nga egërsirat në fshatin e thellë malor.

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img