Avokati Naser Raufi thotë se klientët e tij që janë pjesë e Grupit të Kumanovës vazhdojnë të keqtrajtohen. Ai thotë se njëri prej tyre, Sevdail Miftari nga Kumanova, i ka dy këmbët e thyera dhe është në gjendje të rëndë, duke u trajtuar nga ambulanca e burgut.
‘’Prej fillimit të këtij procesi, prej ditës së parë të arrestimit të këtyre të akuzuarve është përdorur dhunë e cila po përdoret deri në ditët e sotme. Kjo e fundit është ndaj Sevdail Miftari i cili gjendet në burgun e Shkupit dhe unë sot e vizitova këtë të arrestuar. I kishte të dy këmbët e thyera prej dhunës d.m.th prej njësive speciale, prej një polici praktikisht dhe është i rrahur në vetë gjykatën, d.m.th para se të bëhet transporti në burgun e Shutkës’’, tha Raufi.
Ai thotë se do të intervenojë deri të trupi gjyqësor, për marrjen e dokumenteve mjekësore, që ato t’i ketë si prova materiale. Ai thotë se për këto raste të keqtrajtimeve Ministria e Drejtësisë nuk i është përgjigjur shkresave të tij.
Shokë dhe familjarë të Sevdailit frikohen se zullumi ndaj Sevdailit është shtuar pasi ka folur në seancën gjyqësore.
“Kemi frikë se munden edhe ta likuidojnë, sepse në gjykatë e tha realitetin që nuk i pëlqen policis dhe qeverisë”, kanë deklaruar për Gazetën Lajm, disa shokë të Sevdailit.
Nga ana tjetër ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov në lidhje me këtë thotë se janë spekulime pretendimet se njëri prej pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës ka përfunduar me lëndime në gjymtyrët e poshtme.
‘’Deri më tani kishte shumë spekulime dhe kjo është një prej spekulimeve me qëllim që të dëmtohet reputacioni i Ministrisë së Punëve të Brendshme’’, tha Mitko Çavkov.
Avokati i Popullit, Ixhet Mehmeti theksoi se tek ta nuk është paraqitur askush për të denoncuar rastin keqtrajtimeve të fundit, siç është rasti i të akuzuarit Sevdail Miftari. Ai tha se nesër do të dërgojë një ekip për të hulumtuar këtë rast.
Sevdail Miftari në njërën nga seancat kishte pyetur se pse në aktakuzë nuk qëndrojnë edhe bisedat me Nimetullah Abdullahun.
“Nimetullah Abdullahu i ka organizuar të gjitha. Këta që po akuzohen për logjistikë nuk i njohë. Pse fshihen të tjerët? I merrni njerëz që ruajnë bagëti dhe i burgosni. Ku është Nimetullah Abdullahu të vijë këtu? Ai ishte afër meje”, tha mes tjerash Miftari./Lajmpress/
.