12,04,2024

DEPRESIONI DHE VETËVRASJET

Must Read

(Prej të gjitha vetëvrasjeve gati 80% i bëjnë personat të cilët vuajnë nga depresioni)

 (Ankthi dhe depresioni përbëjnë 79% të gjitha diagnozave psikiatrike)

Shumica e shkencëtarëve si shkaqe kryesore të vetëvrasje i konsiderojnë: depresionin, psikozat dhe faktorët gjenetik.

Fjala “depresioni” vjen nga fjala latine depressere, depressus, deprimere që do të thotë i ngjeshur, i shtypur poshtë, që lë gjurmë, e rrëzuar diçka përdhe me goditje. Depresioni  është një nocion kompleks për simptome të shumëllojshme. Depresioni përfshin: emocionet, kognicionin , motorikën, motivacionin si dhe gjendjen vegjetative.

4343341333131

Të gjithë na kohë pas kohe jemi të pikëlluar. Pikëllimi është një pjesë e rëndësishme e jetës sonë. Pikëllimi na ndihmon të kuptojmë jetën tonë të brendshme, ti kuptojmë njerëzit tjerë, na pasuron dhe i jep kuptim jetës sonë. Pikëllimi “normal” vjen me humbjet e pashmangshme dhe nga frustrimet  e jetës së përditshme. Depresioni ndryshon nga ai i lehtë deri te ai që është një kërcënim për jetën.

 

Depresioni si sëmundje është i vjetër sa edhe vet qytetërimi. Kjo është një nga sëmundjet më të vjetra të përshkruara në mjekësi. Depresioni më së shpeshti është i lidhur me ndjenjën e trishtimit (i pa disponuar, i dhimbshëm, i hidhëruar, i pikëlluar), megjithatë depresioni është diçka më tepër se trishtimi. Ka periudha të jetës kur njeriu është i pa disponuar, i dhimbshëm apo i hidhëruar për shkak të ndonjë humbje si vdekja e të afërmit, të mikut, apo të ndonjë humbje materiale apo emocionale, mirëpo të gjitha këto zgjasin një kohë të shkurtër dhe dal nga dal me kalimin e kohës zbehen duke e ndryshuar stilin e jetës apo duke kërkuar mbështetje nga njerëzit e afërt. Nëse trishtimi paraqitet pa ndonjë arsye, është jo proporcional me shkakun ose trishtimi vazhdon të kthehet përsëri, nëse njeriu ka vështirësi të punoj, të shoqërohet apo të bëjë gjumë, atëherë kjo nuk është një trishtim i zakonshëm, por ky është depresion.

Depresioni shpesh ndodh te personat të cilët kanë pësuar përvoja të dhimbshme dhe kanë përjetuar degradim, poshtërim, turp, ose kanë përjetuar ndonjë humbje tjetër.

Ndjenjat negative që rezultojnë nga zhgënjimi apo humbje në fëmijëri, rregullimi i dobët i vetë-respektit, zemërimi i drejtuar ndaj vetvetes dhe ndjenjat e pafuqisë dhe pashpresës janë tipike për depresionin. Përsëritja e përvojave nga femëria dhe lëndimet e pavetëdijshme paraqesin bazë për depresionin

Në esencë çdo njeri mund të sëmuret nga depresioni, pavarësisht nga mosha, grupit social, ekonomik, profesional apo religjioz, mirëpo te njerëzit të cilët për nga natyra janë emocional, frikacak, ata që e kanë nivelin e ulët të vetë respektit, ata të cilët më rëndë e përballojnë padrejtësinë dhe kritikën, depresioni lajmërohet më shpesh. Stresi kronik e ndërron funksionimin dhe përbërjen e trurit dhe shumë depresione mund të shpjegohen me akumulimin e efekteve të dëmshme të stresit. Ky konstatim ka rol të rëndësishëm sepse ai përcakton nën cilat ngarkesa dhe pas sa kohe sistemi nervor do të jetë në disfunksion.

Risku i zhvillimit të depresionit paraqet edhe fakti nëse dikush ka qenë i ekspozuar akuzave të natyrës psikologjike apo sociale, si përvoja e tradhtisë, mashtrimit dhe gënjeshtrave. Risk i madh për depresion nganjëherë paraqet edhe pasiguria në nevojat e njeriut, qëllimet dhe pritjet nga vetja dhe nga të tjerët të mjedisi të tij. Trashëgimi gjithashtu luan një rol shumë të rëndësishëm në shfaqjen e depresionit.

Në kohën e vlerave të dështuara, varfërisë dhe mjerimit të përgjithshëm, në fushën e ndryshimeve, problemeve dhe sfidave të cilat tranzicioni  i sjellë njeriut dhe familjes si dhe  në kompleksin e pasojave negative të globalizmit, nuk është vështirë të bëhesh viktimë. Stresi, varfëria dhe dhuna e rritë riskun nga paraqitja e sëmundjeve mendore, në mesin e tyre edhe të depresionit dhe atë në format e tij më të rënda.

Depresioni  është gjendje sëmundjeje, gjatë të cilët vjen deri tek një mërzi e pikëlluar e lidhur me gjendje frike, shqetësimi të brendshëm si dhe pengesa në të menduarit dhe në gjumë. Është sëmundje e cila përfshin trupin dhe mendjen. Depresioni është çrregullim i definuar nga ndjenja e fajit, pafuqisë, vetmisë, pa perspektivës, jo motivit, largimi nga miqtë dhe farefisi i cili me vete tërheq simptomat fizike si humbja në peshë, humbja e libidit , çrregullimi i gjumit, kapsllëku, tharja e buzëve, etj.

Të menduarit është i ngadalësuar dhe sillet (fiksohet) kryesisht rreth një teme. Zakonisht rreth temës së shikimit të çdo gjëje nga ana negative,  domethënë rreth asaj, se sa keq është, se sa e dëshpërueshme është situata e tanishme, në të cilën gjendet një person, dhe sa e pashpresë është ardhmëria.

Kështu depresionin mundet të definohet si gjendje e pikëllimit të thellë, e krijuar nga faktor të ndryshëm, ku personi humb besimin në vete, shpresat për ardhmëri si dhe interesimin për aktivitetet e jetës – kur tek ai shuhet çdo ndjesi kënaqësie e gëzimi shpirtëror.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, depresioni është problemi i katërt shëndetësorë në botë. Numri i çrregullimeve ka filluar me të madhe të rritet në pjesën e dytë të shekullit 20. Çrregullimi paraqitet në formë të episodeve personale, dhe gjatë jetës çdo e pesta femër dhe i çdo 190-ti mashkull përjeton së paku një episode  serioze. Depresioni ndryshon nga ai i buti e deri te ai klinik të cilin e karakterizon grupi i ndjenjave, mendimeve dhe sjelljeve të cilat në mënyrë të qartë dallohen nga manifestimet dhe funksionimi i ndjenjave të njeriut normal, të shëndoshë, dhe si i tillë është kërcënim për jetën. I kushtëzuar nga veprimet komplekse të faktorëve biologjik, social dhe psikologjik, depresioni njeriun e shëndoshë e shndërron në person shumë të ndjeshëm ndaj rrethanave  jetësore, në një gjendje me plotë ndjenja të zymta. Kohë pas kohe personat me depresion mund të ndjen irritim të përhershëm, nganjëherë erupsion të zemërimit dhe hidhërimit. Edhe pse depresioni mund të jetë i shkaktuar nga ndonjë rast apo ngjarje konkrete, mënyra e të reaguarit ndaj këtyre ngjarjeve është e stërmadhuar. Disa episode të buta të depresionit mund të zgjidhen me kohë, me ndërrimin e stilit të jetës apo me kërkimin e mbështetjes të njerëzve të afërm. Mirëpo depresioni është sëmundje serioze e cila paralizon dhe fuqishëm ndikon në atë se si ndihemi, si mendojmë dhe në fund si silleni. Depresioni pa trajtim adekuat mund të zgjasë me vite dhe mund të shkakton invaliditet të përhershëm. Ai është çrregullim i dhimbshme dhe vështirë mund të tejkalohet pa ndihmën nga jashtë. Kurrfarë “përmbledhje”, vendosmërie, biseda pozitive me vetveten, dashuri apo përkrahje, nuk mund  të “ngritin perden e errët” të depresionit. Depresioni i tillë është sëmundje dhe ai kërkon shërim. Çdo person depresionin e përjeton në mënyrën e vet. Nuk ekzistojnë dy persona të cilët i kanë simptomat e njëjta të depresionit.

 

Agim Arifi

Autori është Sociolog nga Ferizaj

(Pjesë nga libri në dorëshkrim : “Vetëvrasjet . Pse?!”

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Vrasja në Ferizaj, Agim Aliu: Të gjithë të tronditur, bashkëndiejmë me familjen e viktimës

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, është shprehur i tronditur pas ngjarje së rëndë që ndodhi pasditen e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img