Uniformat blu bëjnë me dije se Gjatë kontrollit me qen antidrogë, evidentohen dhe sekuestrohen në serbatorin e një kamioni, 92 KG lëndë narkotike e dyshuar “Cannabis Sattiva”, arrestohen në flagrancë dy shtetas. Nga shërbimet e Policisë Kufitare të Kapshticës, në bashkëpunim me Doganën që mbikqyr Skanerin dhe Specialistët e Seksionit kundër Narkotikëve të DVP- Korçë, u godit një tjetër rast i trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, ku u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve Artur Yzeiri, 51 vjeç, banues në fshatin Ravonik dhe Astrit Haxhi, 55 vjeç, banues në Korçë.
Arrestimi i tyre u bë pasi, gjatë kontrollit me qen antidrogë, në vijën e dytë në dalje, ku mjeti tip kamion i markës “Scania” me targa AA630 KO, u përzgjodh për kontroll të detajuar , u krijuan dyshime se në pjesën e serbatorit të mjetit, ishte fshehur lëndë e dyshuar narkotike. Kontrolli më pas, ka vijuar edhe me procesin e skanimit të kryer nga Dogana, ku në një vend të përshtatur, pikërisht tek pjesa e serbatorit u evidentuan 18 pako të mbështjella me letër natriban, me peshë 92 Kg lëndë narkotike të dyshuar si “Cannabis Sattiva”, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Policia sqaron se shtetasi Artur Yzeiri ka qenë drejtues i mjetit, ndërsa Astrit Haxhi pasagjer. Materialet për hetime të mëtejshme, i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Krimeve të Rënda në Tiranë, për veprën penale: “Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 283/a/2 i Kodit Penal.
.