28,12,2024

9 me 6

Must Read

Qysh prej zanafillës së jetës, pyetjes se si vijmë në jetë i është dhënë përgjigje në forma nga më të ndryshmet. Dikush e shpjegon shkencërisht, tjetërkush sipas besimit fetar prej të cilit udhëhiqet e shumëkush ka gjetur mënyrën e vet origjinale për të dhënë përgjigje. Por pyetja që mundon të gjithë në fund të ditës padyshim është si të fitoj jetesën. Pyetje kjo, përgjigje e të cilës ka formë dhe përmbajtje unike për secilin pjesëmarrës të kësaj gare të egër, garës së jetës.E qartë si kristali është se një nga parimet me të cilat udhëhiqet njëriu në jetë është  puna e ndershme me dinjitet. Rituali i famshëm 40 orë në javë u implementua i tillë pasi besohej se rriste produktivitetin. Secili për një të nesërme më të mirë, secili në emër të diçkaje, të gjithë për të njejtën arsye për mungesën e shumëçkaje që nga më baziket e deri te më jetësoret. Shumëçkaje që mban emrin ujë,bukë e deri te faturat në fund të muajit. Por vetë jeta është një sfidë të cilën secili prej nesh e ka pranuar automatikisht dhe e zbaton këtë marrëveshje të heshtur përgjatë 8 orarëshit në vëndin e vet të punës. Ky nuk është një shkrim për të nxitur punësimin, për të shfaqur ato mijëra problemet që secili has në vendin e punës, ky nuk është një shkrim për të zgjidhur çështjen ‘ka vënde pune por mungojnë profesionistët’ apo anasjelltas. Ky është një shkrim për të gjithë ata shpirtra të bukur që nuk duken e ndihen fare bukur atje ku ndodhen, secili në menyrën e vet duke zbatuar kontratën 9 me 6. Të gjithë ata që janë të detyruar të bëjnë një punë që nuk e duan. Për ironi të fatit janë të shumtë. Pothuajse një rini e tërë që mbetën në kërkim të punës ideale duke shumëfishuar brengat çdo sekondë të kontratës 9 me 6. Dy gjëra janë vetvrasëse në këtë jetë: të mos kesh pranë atë që do dhe të bësh atë që nuk do.Të bësh gjërat se duhet ti bësh si për inerci të parimeve me të cilat je rritur në jetë, tepër i edukuar për t’i kundërshtuar. I lodhur i nënshtrohesh fatit mjeran dhe jeton çdo ditë i burgosur në shpirtin e vetëçensuruar. Dilema e stërmundimshme në këtë rast nuk është të jesh apo mos të jesh por si të vazhdosh të bësh një punë që nuk e do.Më tragjikja është që teoria dhe gjithë kritikët e mundshëm të kësaj bote i dëgjon tek shprehen ‘Ndiq ëndërrat, bëj punën që do dhe nuk do të duhet të punosh asnjë ditë të vetme’. Në një shoqëri si kjo e jona ku edhe pse të përsëritet nga mëngjesi der në darkë sa i aftë je por mundësia s’të jepet kurrë dhe nga prapa është gjithnjë një ‘por’ që të persekuton e për një arsye apo një tjetër nuk je kurrë mjaftueshëm. Në fund të ditës mbetesh thjesht një i aftë i papunë e të qënurit i aftë nuk është se të ndihmon madje shpesh herë të shtyn në përçmim ndaj vetes kur detyrohesh të përqafosh faktin se ndoshta fatet janë shkruar të tilla. Të përtypësh krenarinë dhe përveshësh mengët në emër të mungesës, të mbijetesës, të vrimave të jetës, të vrimave të xhepave. Një rini e tërë pas një tavoline dhe një kompjuteri me një identitet të rremë, një emër në sistem, një tekst automatik, një refren i një fushate në emër të rritjes së profiteve duke shitur produkte, shërbime, duke shitur veten. Sepse në çdo moment të jetës ajo që bëjmë është të ‘shesim’. Nuk është e gabuar, është patjetër e keqe e domosdoshme.Më mirë se të ngrohesh në diell apo të biesh pre e ndonjë tundimi që s’te çon gjëkundi. Por thjesht është e padrejtë që vite e vite edukimi të shpenzuara me mund e djersë të katapulkojnë drejt asaj që tingëllon si fillimi i fundit. Ndoshta je thjesht viktimë e një sistemi të pamëshirshëm ose e keqllogaritjeve të tua. Duhet të biesh në paqe me veten e të kujtosh dhe harrosh njëkohësisht gjithçka që di, drejt rrugëtimit mes botëve për të bërë atë që duhet. Mijëra shpirtra të bukur shohin ëndrrat t’u shuhen para syve tek pranojnë të bëhen pjesë e kontratës 9 me 6. Pranojnë të lidhin si dënimin e jetës aq sa dhe të vetmen formë shpëtimi duke e etiketuar si një të përkohshme në një shoqëri që vetëm meritokraci nuk ofron. Prodhon çdo ditë produkte të dështuara me fasada mbresëlënëse dhe sigurohet që edhe ato pak produkte cilësore të dështojnë rrugës, të humbasin drejtimin ose të nisen drejt shtegëtimeve të reja.
“Pranoj të firmos kontratën 9 me 6, pranoj se duhet! Se tjetër rrugë nuk më mbetet.Se jam thjesht një molekulë oksigjeni e brishtë ne këtë shumicë ajri të ndotur.

Pranoj se të paktën nuk më duhet të mbart njolla parazitizmi në lëkurë e as t’i futem ndonjë rruge pa fund e krye si shumë të rinj mendjelehtë.

Pranoj se është e vetmja derë që e hapa vetë pasi dyert arrogante me ngjyrat e bukura thjesht të përplasen në fytyrë dhe duhet ta blesh hyrjen në to, ta blesh me çdo lloj çmimi. Megjithëse edhe kjo derë e thjeshtë e ka nje çmim që duhet ta paguash: të vret çdo dite nga pak. Të vret kur vetëm jep dhe nuk merr asgjë mbrapsht. Të vret sepse Ti nuk e dashuron punën që bën. Ti që numëron orët dhe që ngushëllim të vetëm ke shpërblimin në fund të muajit. Ti që çdo vit provon fatin për të prekur ëndrrën amerikane. E si ty është një rini e tërë që beson fort se Amerika është vendi që realizohen ëndrrat, vendi ku mund t’ia dalësh me forcat e tua. E disa arrijnë të nisin fluturimin përtej oqeanit, të tjerë u thyhen krahët dhe marrin refuzimin e rradhës pas fjalisë dëshpëruese “aplikimi juaj nuk është përzgjedhur për të qënë fitues..”  Tre sekonda realitet mjaftojnë t’i rikthehesh rrëmujës së jetës tënde me shpresën se çfarë ka për të ndodhur gjithnjë do e gjejë një rrugë për të ndodhur sado e vështirë,sado e pamundur të duket. E derisa kjo gjë të ndodhë duhet të bëhesh i fortë dhe te jetosh çdo ditë me bindjen se kjo etapë është e përkohshme, ky makth një ditë do mbarojë.

Jeta është kaq e padrejtë! Lufton çdo ditë ndaj ‘të përkohshmes’ për të fituar ‘të përhershmen’ dhe papritur sa hap e mbyll sytë ajo shndërrohet në të vetmen shpresë për të ecur përpara.Mijëra sy drejt një agimi të ri duke i përsëritur vetes çdo çast: Është thjesht e përkohshme!

Nga Gerta Kapllani

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img