22,02,2024

Veterani i UÇK-së i zhgënjyer nga shoqëria

Must Read

Ismet Haliti, nga fshati Jezerc,pjesëmarrës i luftës së UÇK-së, thotë se për 16 vjet pas luftës nuk arriti të gjejë një shtëpi e një punë për të mbajtur familjen. Thotë se po kërkon punë çdo ditë, por askush nuk po i ofron ndonjë mundësi sado të vogël. Ai shprehet se pasuri të vetme ka gruan dhe vajzën që shpesh i dërgon te familjarët për t’u liruar paksa nga barra e rëndë e jetës

Veterani i UÇK-së,  Ismet Haliti kërkon ndihmën e popullit dhe institucioneve për një strehë mbi kokë. Për 16 vjet pas luftës thotë se ndërroi mbi 50 shtëpi të huaja dhe nuk u gjet asnjë punë për të. Ismet Haliti, nga fshati Jezerc, pjesëmarrës i luftës së UÇK-së, thotë të jetë i lodhur nga skamja dhe shtëpitë e huaja. Për 16 vjet pas luftës tregon se nuk arriti të gjejë një shtëpi e një punë për të mbajtur familjen. Thotë se po kërkon punë çdo ditë, por askush nuk po i ofron ndonjë mundësi sado të vogël.”Unë çdo ditë dal në vendin ku kërkojnë punë edhe shumë hallexhi si unë dhe ndodh që prej orës 7 në mëngjes e deri në 7 në mbrëmje nuk ka pyetur askush se a duam të punojmë apo jo, më ka ndodhur t’i marr vetëm 5 euro në javë, e çka të bëj unë me to. S’mund as të mbaj punë unë pa e ditur se ku do të shkoj në mbrëmje, pra pa e zgjedhur problemin e banimit” , thotë ky qytetar i zhgënjyer  që sa e sa herë përjetoi edhe depresionin nga skamja. Ai thotë se pasuri të vetme ka gruan dhe vajzën që shpesh i dërgon te familjarët për t’u liruar paksa nga barra e rëndë e jetës.

Lufta i sjell vetëm kujtime të këqija

Ndihma sociale që merr thotë se nuk po i mbulon as shpenzimet e qirasë, sepse merr 80 euro, ndërsa i duhet të japë 150 euro në muaj për shtëpinë ku aktualisht banon. “Jam lodhur e jam mbështetur për muri, s’ kam kah ia mbaj”, ripërsërit ai këtë  frazë mbi dhjetë herë gjatë bisedës. Ismeti tregon se është i zhgënjyer shumë nga të gjitha proceset e pasluftës në Kosovë. Atij i është refuzuar edhe kërkesa për ta gëzuar statusin e veteranit apo pjesëmarrësit në luftë pa ndonjë arsyetim, ndërsa pohon se të gjitha dëshmitë i dorëzoi dhe i ka të ruajtura. “Për kë luftova unë , kam çelur kanale e bunkerë për nevojat e ushtrisë, shumë herë jam rrezikuar duke bartur gjësende për ushtrinë e në fund më refuzohet kërkesa për të gëzuar ndonjë status në luftë. Ata e dinë më së mirë se çka kam bërë, por mua më është bërë padrejtësi e madhe, sepse nesër fëmija im më kërkon llogari kush kam qenë unë e pse nuk i kam ofruar jetë më të mirë”, shpreh mllefin e tij veterani  Ismet Haliti nga Ferizaj, shkruan sot, gazeta Kosova Sot.

E mban shpresa për një banesë të Komunës

Ky banor i Ferizajt thotë se ka bërë kërkesë edhe në konkursin e shpallur së fundi për disa banesa të Komunës dhe po pret një përgjigje. Lut institucionet që të marrin parasysh gjendjen e rënduar nëpër të cilën po kalon. “Familja ime jeton në Manastirc dhe janë shumë anëtarë në një shtëpi, unë s’ kam pasur mundësi të rri aty, se edhe ata mezi jetojnë duke u marrë me dru. Kanë edhe dënime të mëdha e shumë telashe. Kam shumë nevojë që ta kem një banesë ku do të paguaj më pak se nuk kam me se të jetoj.

Më shkon mendja shpesh të bëhem edhe katil i vetvetes nga kjo gjendje e rëndë dhe askush nuk e  merr lehtë këtë vendim, prandaj i lus zyrtarët e Komunës të vijnë e të shohin se nuk kam asgjë mbi shpirt”, thotë Ismeti, duke treguar se 4 arë tokë në fshatin Manastirc u detyrua t’i shesë për të shlyer borxhet e qirave ku ka qëndruar nëpër shtëpitë e huaja në Ferizaj. Nga ana tjetër, përfaqësues të Komisionit për ndarjen e banesave të Komunës me qira, thonë se kanë marrë më shumë se 250 kërkesa për 37 banesa dhe do të mundohen të përzgjedhin rastet më të rënda në bazë të rregullores në fuqi. I gjithë procesi pritet të përfundojë brenda dy muajsh, pasi do të bëhen edhe verifikimet e nevojshme në terren.

“Për kë luftova unë , kam çelur kanale e bunkerë për nevojat e ushtrisë, shumë herë jam rrezikuar duke bartur gjësende për ushtrinë, e në fund më refuzohet kërkesa për të gëzuar ndonjë status në luftë. Ata e dinë më së mirë se çka kam bërë, por mua më është bërë padrejtësi e madhe, sepse nesër fëmija im më kërkon llogari kush kam qenë unë e pse nuk i kam ofruar jetë më të mirë”, shpreh mllefin e tij veterani  Ismeti

- Advertisement -spot_img
Të fundit

34 mësimdhënës nga Ferizaj, certifikohen në kuadër të projektit të BE-së

34 mësimdhënës nga 3 shkolla të Ferizajt, u certifikuan në kuadër të projektit KosEd. Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img