Misioni i OSBE-së në Kosovë, të premten në Ferizaj, ka mbajtur një diskutim publik me qytetarët ferizajas, me ç’rast janë diskutuar tema të ndryshme.
Në këtë diskutim mori pjesë kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, kryesuesi i kuvendit Faruk Guri, drejtorët e drejtorive komunale, deputeti i Parlamentit të Republikës së Kosovës, Faton Topalli nga VV, udhëheqja e departamentit ligjorë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal Flutura Hoxha, përfaqësues të ojq-ve lokale si dhe qytetare të tjerë.
Fillimisht të pranishmit në këtë debat i ka përshëndetur kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, i cili ka falënderuar misionin e OSBE-së për këto organizime, duke theksuar se janë mjaft të rëndësishme për qytetarët ferizajas.
Ai tutje është shprehur se përmes këtyre diskutimeve, edhe vendimmarrja është shumë më lehtë sepse merren parasysh të gjitha mendimet e qytetarëve.
Të pranishmit në këtë diskutim publik i ka përshëndetur edhe James Lyon, zyrtarë i lartë për demokratizim pranë OSBE-së.
Nga ana tjetër Flutura Hoxha nga MAPL, ka bërë prezantimin e projekteve të cilat i kanë mbështetur komunën e Ferizajt, si dhe vendimet të cilat Kuvendi Komunal i ka marr dhe harmonizimin tyre me legjislacionin me fuqi.
Po ashtu pjesëmarrësit kanë pasur mundësinë e njoftohen edhe me aktivitete e deputeteve të Parlamentit të Republikës së Kosovës. Qytetarët me pyetje të shumta i janë drejtuar deputetit Faton Topalli, me theks te veçante lidhur me investimet kapitale, autostradën, mungesën e deputeteve të Ferizajt në komisione ndërministrore si dhe pyetje të tjera.
U tha se diskutime të tilla do të mbahen edhe në të ardhmen.