Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tash e dy muaj po përballet me raste të sëmundjes së fruthit. Deri më tani, numri i të prekurve ka arritur në 100.
Drejtori i kësaj klinike, Hamdi Ramadani, ka bërë të ditur se më së shumti janë të prekur fëmijët, ndërsa një foshnje 4 muajshe është në gjendje të rëndë.
Ramadani shton se janë të befasuar nga shfaqja e numrit të madh të të prekurve, por thotë se gjendja për momentin është nën kontroll dhe ka mobilizim të stafit të klinikës.
Mjeku ka bërë apel për vaksinim, pasi në të kundërtën secili që nuk e ka kaluar fruthin është potencialisht i rrezikuar të preket.
Drejtori i klinikës së Pediatrisë, Muharrem Avdiu, ka bërë të ditur po ashtu se edhe në këtë klinikë janë paraqitur disa raste me fruth, të cilat janë përcjellë në Infektivë.
“Janë disa raste spontane, por megjithatë nuk ka rrezik për epidemi, të paktën për momentin jo”, ka deklaruar Avdiu.
Ai ka shtuar se rreziku për epideminë është nëse nuk vaksinohen fëmijët.
“Janë disa prindër që po frymëzohen nga rrjetet sociale për mosvaksinimin. Po arsyetohen për komplikimet që mund të ndodhin nga vaksina, por ato nuk llogariten. Nuk duhet të nënçmohet situata dhe unë apeloj të prindërit që t’i vaksinojnë fëmijët”, ka shtuar ai.
Edhe mamia e njohur Razije Musa ka bërë thirrje që të vaksinohen fëmijët. Ajo ka hequr dilemat e nënave të shqetësuara për autizëm, duke treguar sesi në Angli fëmijët nuk mund të regjistrohen në shkollë nëse nuk janë të vaksinuar.
“Vaksinoni bebet dhe fëmijët dhe mos e bëni të kundërtën që bebja juaj të jetë në rrezik për vete dhe fëmijët tjerë në Kosovë”, ka apeluar Musa.
Ky është numri më i madh i të prekurve nga fruthi që nga viti 1997 kur ishte shfaqur epidemia.
Të prekurit nga fruthi janë pothuajse nga rajonet e krejt Kosovës, por numrin e tyre e dominojnë pacientët nga komuniteti Rom. /Gazeta Shneta/