27,12,2024

​ PD kërkon shkarkimin e ministrit Tahiri

Must Read
Saimir Tahiri

Sipas kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj, kryeministri Rama është peng i lidhjeve kriminale të ministrit dhe prandaj nuk e shkarkon atë. Opozita ka renditur të gjitha akuzat për ministrin Tahiri, të cilat mund t’i lexoni të plota më poshtë në deklaratën e Alibeajt të bërë sot në selinë e PD.

“Pse Edi Rama vazhdon ta mbajë akoma Sajmir Tahirin?

Çfarë di Saimir Tahiri për Edi Ramën që nuk e shkarkon dot edhe pse ai është i faktuar botërisht si garanti i bandave më te rrezikshme të trafikut të drogës dhe krimit jo vetëm në Shqipëri por në Ballkan e më gjerë?

Vetëm një kryeministër i kapur do të sfidonte qytetarët e tij, partnerët europianë dhe amerikanë duke mbajtur në krye të rendit një njeri të implikuar e të inkriminuar deri në fyt si Saimir Tahiri.

Një seri ngjarjesh kanë dëshmuar se Shqipëria ka pasur në krye të rendit që prej shtatorit të vitit 2013 një ministër të inkriminuar, ndërlidhësin e trafiqeve të drogës e shumë krimeve të tjera. Banditët më në zë të vendit nuk kanë pasur thjesht një pikë kyçe në polici, një lidhje politike diku, por kanë pasur drejtpërdrejt në dispozicion ministrin e Brendshëm.

E nisi me një fushatë selektive e klienteliste për lojërat e fatit, ku lulëzuan miqtë e tij e u fundosën të tjerët, një krekosje korruptive e Tahirit që la pas edhe një viktimë, një mikun e tij të afërt për të cilin ai ka përgjegjësi siç ia kanë bërë të ditur dhe familjarët.

Projekti i madh i Tahirit ishte krijimi i një hambari të madh droge të pahasur më parë në vend dhe ai organizoi gjithë infrastrukturën për këtë. Nën drejtimin e tij mbarë territori u mboll me kanabis. Pas çdo kodre me drogë është një pakt 30 përqindësh i bandave me Tahirin. Tahiri ka një grusht njerëzish koordinatorë të mbjelljes, rritjes dhe shitjes së drogës, mes tyre spikasin Habilajt, banda e Shullazit, dhe siç u evidentua, Balili i Sarandës, shkruan lapsi.al.

Kur Partia Demokratike e denoncoi në vitin 2014 emërimin e trafikantit të njohur në krye të transporteve në rajonin e Sarandës, qeveria e mbrojti dhe Tahiri u kujdes t’i jepte dhe më shumë pushtet e paprekshmëri.

Kur doli se makinën private të ministrit të Brendshëm e përdornin Habilajt dhe s’kish polic ti ndalonte, Tahiri u zgjeroi atyre territorin.

Sa më shumë denoncohej lidhja e tij me Shullazin, aq më shumë ky i fundit rendonte krimet, vrasjet, gjobveniet, aq më i paprekshëm bëhej.

Shullazi u kap me policin e Tahirit në shërbim të tij, u kap duke kaluar makinën e blinduar në doganë pa kontroll, u kap në përplasje me armë, dhe në të gjitha rastet, doli i pastër. Praktikisht, kupola e ministrisë dhe e policisë ishte zhvendosur në rrugën e Kavajës, në rezidencën e Shullazit.

Dhe kur u ndalua pas kërcënimit që i bëri kandidatit për rektor, Tahiri foli vetë me Shullazin përmes nëndrejtorit të policisë së Tiranës dhe e garantoi se do jetë thjesht një shëtitje, pa e ditur se prokuroria kishte punuar prej muajsh për gjetjen e provave për dhjetra krime.

Tahiri është shërbëtor i zellshëm dhe i qëndron paktit me krimin. Kur goditen linja të trafikut nga shërbimet partnere ai shfajësohet se nuk ka dijeni, nuk e kanë prej tij. Ai u vuri shkrepsen provave të drogës në laborator për të fshirë gjurmët e bashkëpunetorëve.

Me Tahirin në krye, u ngrit impianti më i madh i kokainës në Ballkan, në Xibrakë të Elbasanit, impiant që dhe sot do te ishte në punë nëse nuk do zbulohej nga policia gjermane.

Krerët e policisë me të cilët ai drejton, janë të gjithë një hartë interesash kriminale, të promovuar në postet kyçe nga Shullazi, prej besnikërisë që kanë treguar ndaj tij. Partia Demokratike i ka denoncuar me emra dhe me fakte dhe do të vazhdojë ta denoncojë në ditet në vijim kupolën e narkotrafikut në Policinë e Shtetit.

Janë këta më të besuarit e Tahirit, të cilët  prishin provat në vendngjarje, zhdukin armë e telefona që janë dëshmi e lidhjeve me krimin dhe dëshmi e krimeve të mëparshme.

Saimir Tahiri e pranoi vetë se kishte bërë biseda private në zyrë e në plazh me Bamin e akuzuar si vrasës me pagesë. Pra, ministri i Brendshëm ishte ulur me të si përfaqësues i njerës prej bandave. Janë disa vrasje pa autor sot, sepse autorët i njeh dhe i di Saimir Tahiri, kanë mbrojtjen e tij.

Sa kohë të jetë Ministër i Brendshëm i vendit Saimir Tahiri, bandat janë në pushtet, droga leviz ngado, krimet kanë licensë. Tahiri duhet të largohet menjëherë, ai është turpi i shqiptarëve dhe shfytyrimi më kriminal i ndonjë  ministri të Brendshëm në 25 vite”, përfundon deklarata e PD-së.

The post ​ PD kërkon shkarkimin e ministrit Tahiri appeared first on Lajminet.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img