28,05,2024

​Flasin fqinjët e Bojoviqit: Na thoshte të rrinim në shtëpi, e më pas na vriste

Must Read

milovan-bojovic-620x0

Deri në fund të luftës së fundit në Kosovë, e kishin fqinjë të parë. Por kjo nuk u ndihmoj aspak banorëve të fshatit Peran, që të shpëtojnë nga vrasjet dhe krimet e ushtrisë së udhëhequr nga bashkëfshatari i tyre, ish gjenerali serbë, Millovan Bojoviq.

Banorët e këtij fshati të komunës së Podujevës, ende i kanë të freskëta kujtimet dhe veprimet e gjeneralit serb Bojoviq, të cilin sot e akuzojnë për vrasje të shumta në gjithë rajonin e Llapit.

Vendasit atje thonë se ish fqinji i tyre serb kishte dhënë urdhër për vrasjet e shumë shqiptarëve në këtë rajon. Ata tregojnë edhe momentet kur ushtarë serbe kishin qenë nëpër shtëpitë e tyre dhe u kishin marrë familjarët, të cilët më pas i ekzekutonin.

Rasim Beqiri, banorë i fshatit Peran, shtëpinë e ka jo më shumë se 100 metra larg shtëpisë ku kishte banuar Bojovic. I shtyrë në moshë dhe me emocione rrëfen për KosovaPress ngjarjen më të dhimbshme të jetës së tij. Ai tregon se si një ditë gjatë luftës së fundit, dy ushtarë serb, të cilët ai i njeh mirë dhe mund t’i identifikoj, kishin trokitur në dyert e shtëpisë së tij për t’ia marrë dy anëtarë të fami ljes, të cilët pas tre muajsh i gjetën të vrarë.

Rasim Beqiri: Dy ushtarë kanë qenë i kanë marrë, atyre u shkruake në shpinë “police”

“Shpirt me humb nuk kam se një kam e kam ndër dhe, një mbi dhe, por me të thënat qysh po thonë ai ka udhëheqë me komunën e Podujevës. U mbytën prej Bogujevcëve 13-14 persona, te Berishët 13-14, dy u mbytën këtu në shtëpinë time, djali i mixhës me gjithë dajën, Nazmi Ismajli dhe Ismet Beqiri. Pas 3 muajsh i kemi gjetur kufomat. Dy ushtarë kanë qenë i kanë marrë, atyre u shkruake në shpinë “police”, njëri ka qenë i Gërdocit, Zorani i “qetës prej Gërdocit”, dhe njëri ka qenë i Dumnicës, baxhanakun e ka pasur në kodra këtu… Ai i Dumnicës ka qenë komandant i stacionit të policisë në Kërpimeh. Bon vaki i kanë marrë me urdhër të tij, ndodh i kanë marrë krye në veti pa e pyetur askënd. Djali i vëllait të këtij gjeneralit ka qenë 3-4 herë këtu në Peran. Një komshi e kemi pasur këtu e tash ka dal në Prishtinë, e kanë marr shishen me benzinë që nëse diçka lëviz me ia kallë kerrin. E sot ai djalë është oficer në ushtri”, tha ai.

Rasim Beqiri thotë se pa urdhër të komandantit të tyre, ushtarët serb nuk do të vinin këtu.

Rasim Beqiri: Dikush ata i ka sjellë këtu

“Ju e keni një shef që jeni duke punuar, ai pa ua dhënë urdhrin nuk kishit ardh këtu me fol. Pa urdhër të tij s’kishit mund me dal në fshat këtu. Por këtu është dikush, është duke e sjell në kokrra ata për me ardh këtu. Dikush po, por kush pe sjell nuk po dihet. Shteti duhet t’i hap sytë e mos me ndejë. Sa vet u vranë, Bogujevct, Dorishtët, por dikush ia ka zgjat gishtin u ka thënë hiqi. E jo nuk është në rregull. Pak kanë faj udhëheqësit tonë, me i dhënë zor e jo veç me u ul në fotele ma butë”, tha Beqiri.

Megjithatë, për ish gjeneralin serb, Millovan Bojoviqit nuk kishte rëndësi nëse shqiptarët i kishte fqinjë të parë apo të dytë. Kjo nuk luante aspak rol për një njeri me karakter çfarë ishte ai, thotë një tjetër fqinje e ish gjeneralit serb. Ajo në kushte anonimiteti për KosovaPress tregon se si ai (Millovan Bojoviqi) u thoshte që të rrinë në shtëpi sepse nuk kishte rrezik, ndërsa, sipas saj, ai donte që pas shpinës t’i vriste ata. Ajo tregon se si pikërisht në ditën kur ai u kishte thënë të mos largoheshin nga shtëpia pasi që nuk kishte rrezik, në mbrëmje, ushtria serbe e udhëhequr nga Bojoviq, kishte shkuar në shtëpinë e tyre dhe ia kishte marrë djalin e kunatit dhe nipin, të cilët më pas i gjetën të vrarë.

Dëshmitarja (grua): Ai na tha të rrimë në shtëpi, ndërsa po atë ditë na i kanë marrë familjarët dhe na i kanë vrarë

“Komshi të parë e kemi pasur, qaty shtëpinë e ka, krejt ai i ka bë. Bile kur ikëm ne, kemi shkuar në Batllavë kemi buajt edhe dy net në Zakutë, Bojovic i thoshte burrit tim, kojshi mos u tut se hiq s’ka problem, kurgja s’ka, i thoshte burrit tim, kurgja s’ka hiq mos u tut. Por ne ikëm, e i thash plakut ndash hajde ndash mos hajde unë shkova me fëmijë se nuk dua me na pre ky. A plakut i thojke ai ‘jo jo kojshi kurgja s’ka, gajle mos kije hiç’. A pas shpine të vrake. Qatë natë që na e murrën djalin e kunatit dhe nipin, që i kanë mbyt të dytë, i ka mbyt për menjëherë. Qysh më rrëqethet trupi, lig më shkon në zemër. S’mujtem na as me qëndrua çka ka bë ky. Ushtria serbe i ka marrë ata. Ushtrinë e ka udhëheqë ky për Llap se e mur pushimin bash për qatë rast. Ai ka ardhur edhe disa herë më përpara. Kish thënë qe kam ardhur me marrë pensionin në Kosovë a mbi 80 vite që i ka. Përpara u rua jtke sepse ka qenë i shkolluar por ish kanë qeni më i madh. A ke ndije se serbët pas shpinës ta mbarojnë varrin”, tha ajo.

Përndryshe, gjenerali serb, Millovan Bojoviq, ishte nisur nga Serbia javën e kaluar drejt Kosovës dhe kishte kaluar pa asnjë problem në pikën kufitare në Merdarë. Por pasi që kishte arritur të futej në disa prej fshatrave të Llapit, banorët e këtij rajoni e kishin identifikuar Bojoviqin dhe menjëherë kishin njoftuar Policinë e Kosovës. Gjenerali serb u arrestua po atë ditë nga Polica e Kosovës, për kalim ilegal të kufirit, nga ku i njëjti ishte larguar njëherë për në Serbi nën pretekstin që nuk mund t’i ofronin siguri. Gjykata Themelore në Prishtinë-Dega në Podujevë ia ka shqiptuar dënimin prej një muaji burgimi ish-gjeneralit Milan Bojoviq.Deri sot, edhe pse faktet dhe dëshmitarët e rajonit të Llapit tregojnë për krimet e kryera nga Bojoviq, drejtësia në Kosovë nuk ka nxjerrë ndonjë akta kuzë apo fletarrest ndaj tij.

Në vitet ’98-99, Millovan Bojoviq ishte gjeneral i ushtrisë jugosllave dhe njihej si njëri shumë i afërt i Sllobodan Millosheviqit.

Bojoviq në kohën e luftës në Kosovë kishte përgjegjësi komanduese dhe dëshmitarët tregojnë se ai ka udhëhequr forcat ushtarake serbe në kryerjen e krimeve kundër civilëve në rajonin e Llapit, ku u vranë 499 shqiptarë. /KosovaPress

 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Arrestohet një person në Ferizaj, i dyshuar se ka kryer rrëmbim të një personi në Fushë Kosovë

Me datë 25.05.2024 rreth orës 09:35 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë me telefon nga një femër...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img